Propozimi i IFAB, një pjesë loje të zgjasë 30 minuta

E publikuar: 18/06/2017 19:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa ndryshime të rëndësishme në rregulloren e lojës mund të sjellin një revolucion të vërtetë në futboll. Organizimi ligjvënës i Bordit të shoqatës së futbollit ndërkombëtar ka gati disa propozime shumë të rëndësishme që synojnë të shmangin kohën joefektive gjatë një ndeshjeje futbolli, për t’i dhënë përparësi dinamikës, emocioneve të lojës dhe sjelljes Fair Play të futbollistëve në fushë. Ideja është që një pjesë e një ndeshjeje futbolli të mos zgjasë nga 45 por nga 30 minuta, me kusht që kronometri të ndalë sa herë që topi të mos jetë në lojë. Gjithcka është argumetnuar me faktin se në cdo ndeshje futbolli loja efektive është rreth 60 minuta, ndaj për ta bërë futbollin më tërheqës loja joefektive nuk duhet të kronometrohet duke shmangur kështu vonesat e qëllimshme.

Nëse do të pranohet propozimi për një pjesë lojë që zgjat vetëm 30 minuta lojë efektive, atëherë zyrtarët e ndeshjes do të jenë të detyruar ta ndalin kronometirn nga momenti i akordimit të një 11-metërshi deri në ekzekutimit e tij. Gjithashtu koha ndalet nga casti kur shënohet një gol deri në rinisjen e lojës nga qendra. Kur një futbollist kërkon ndihmë mjekosore, apo kur kryesori akordon një karton të verdhë apo të kuq. Gjithashtu koha duhet të ndalet kur gjyqtari sinjalizon për zëvendësim apo kur vërshëllen për një goditjeje të lirë deri në në momentin e rinisjes së lojës.

Sipas një tjetër propozimi shumë të rëndësishëm, futbollistët nuk mund ta vijojnë aksionin, pra të tentojnë të shënojnë nëse portieri arrin të presë një 11 metërsh. Në këtë rast akordohet rivënie fundore. Gjithashtu do të kërkohet që në stadium të jetë një orë e madhe e lidhur me kronometrin e gjyqtarit, ndërsa lojtarët mund t’ia pasojnë vetes topin në rastet e goditjeve të lira apo atyre nga këndi.