Pronari i kompanisë së autobusëve jep versionin për vdekjen e dy djemve në urë

E publikuar: 01/07/2019 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gentrit Gallopeni 20 vjeç dhe Arianit Bytyqi, 26 vjeçar, të dy kondukterë me profesion, në vikend kanë vdekur pas rënies në një humnerë në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Ruzhdi Kurtishaj, pronar i kompanisë Sharr Travel, ka dhënë versionin e tij për aksidentin e rëndë në emisionin Frontal.

Kurtishaj, thotë se Gentrit Gallopenin e ka edhe nip dhe sipas informacioneve që posedon Gentriti ka insistuar të dale nga autobusi.

“Para se me arritë te Theranda, te ura e Sllapuzhanit ka kërkuar me ndal autobusin. Ndale, ndale i ka thënë shoferit”, ka deklaruar Kurtishaj në T7, shkruan Reporteri.net.

Ai thotë se thellësia ku ka rënë Gentriti dyshohet të jetë rreth 50 metra.

Ndërsa për rënien e Arianitit thotë se dyshohet se ai ka rënë duke tentuar të shkojë për të parë se çfarë ka ndodhur me Gentritin.

Kujtojmë se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konstatuar se të rinjtë vdiqën pasi dolën nga autobusi i ndalur jashtëligjshëm në autostradë.

Për humbjen e dy jetëve, me urdhër të prokurorit 3 shoferë të autobusave të cilët janë ndalur në autostradë në kundershtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me datë 29.06.2019 rreth orës 00:07 minuta përmes Qendrës Rajonale të Komunikimit , Policia është informuar se në autostradën “Ibrahim Rugova” në segmentin Suharekë- Duhël në afërsi të fshatin Sllapuzhan, dy persona duke kaluar mbi urën me nr. 11 në autostradë duke kaluar nga një trase në trasenë tjetër të autostradës kane rëne në humnere dhe me këtë rast si pasojë kanë gjetur vdekjen”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia tha se në momentin që viktimat kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe kanë tentuar të kalojnë në trasenë tjetër kanë rënë në humnerë pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3 metra.