Prona private në Kosovë, me vlera të kufizuara

E publikuar: 12/02/2018 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Jeta e kaluar njerëzore ka qenë përvojë; shumë pak logjikë”

Nga: Nijazi Idrizi

Prona private është institucioni më i rëndësishëm i integrimit social dhe politik të qytetarëve. Vetëm ajo merret parasysh kur definohet rendi politik dhe juridik i shteteve dhe e bënë qytetarin zot. Shoqëritë që kanë më shumë pronarë privat të tokave, shtëpive dhe objekteve, më shumë e respektojnë ligjin dhe iu shmangen trazirave. Me të drejtën ndërkombëtare, të drejtat pronësore të individit janë të shenjta, mbi të drejtat sovrane të shteteve. Qeveritë mund të humbin toka, por individët në ato territore, nuk i humbin pronat e tyre. Në shoqëritë kapitaliste vlera e saj caktohet në treg.
Në sistemin socialist, prona private është tronditur nga ndërhyrja e shtetit. Ajo është shndërruar në shoqërore e shtetërore dhe ka mbetur pa pronar real. Shteti socialist në mënyrë të dhunshme ia ka caktuar vlerën me logjikën e planifikimit shtetëror.

Edhe pushtetet e tranzicionit, pas rënies së komunizmit, me qëllim të përfitimit të nomenklaturës komuniste, e kanë zvarritur rikthimi i saj te pronarët e ligjshëm. Në Kosovë, për shkak të ligjeve diskriminuese serbe, pas viteve të ’80 të shekullit XX, për motive politike, e ndaloi formalizimin e transakcioneve në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Ato nga kjo kohë u bënë me kontrata private e marrëveshje gojore në mes të palëve.

Për fat të keq edhe sot pas çlirimit, krimi i organizuar i instaluar në pushtet nuk i la pronarët privat ti formalizojnë pasuritë e veta. Ata po vazhdojnë t’i mbajnë dhe përdorin ato me marrëveshje të shkëputura joformale dhe dëshmitarë të rralluar, shpesh edhe pa asnjë dëshmi, për shkak të djegies së tyre dhe vrasjes së dëshmitarëve në vitet e luftës.

Për këto arsye, pronarët privat, nga frika e humbjes së pasurive të tyre, janë tërhequr në sektorin joformal ku në të gjitha këto vite janë mësuar të jetojnë dhe të bëjnë ”biznes”. Pasurit e tyre nuk marrin pjesë në qarkullimin e madh ekonomik dhe nuk janë shndërruar në kapital. Ato e japin përfitimin e vetëm një rente, sikur në kohën e feudalizmit. Për shkak të këtij kufizimi, Kosova, nuk po arrin të bëhet vend kapitalist. Ky është shkaku kryesor pse ajo ka mbetur jashtë përdorimit shumëqëllimorë për arritjen e përfitimeve të shumëfishta. Këtu qëndron edhe shkaku pse shumica e qytetarëve të saj, nuk po arrijnë të jetojnë nga pronat e veta.

Në Evropë, para shekullit të pesëmbëdhjetë, transaksionet e pronës ishin të njohura vetëm përmes traditave gojore. Kudo janë përdorur rituale të ndryshme për saktësimin e saj. Shqiptarët betoheshin me gurë mbi supe, i cili do t’ia rëndonte shpirtin atij që nuk e vendos kufirin ku duhet. Dokumentet e shkruara në formë të kontratave shoqërore, erdhën gradualisht. Ato, në Perëndim, u formalizuan dhe u integruan në sistem të pronave vetëm gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Edhe Kosova në kohën e pushtimit e ka pasur një sistem të regjistrimit të pronave, por shumicës së qytetarëve nuk iu ishte lejuar qasja në të.

Ekonomia moderne nuk mund të imagjinohet pa një sistemi formal e të integruar pronësie. Qeveritë Perëndimore, e kanë vlerësuar përvojën historike. Ato, duke u bazuar në të, ligjin e pronës e kishin integruar në kontratat shoqërore, (të cilat i posedonin njerëzit si dëshmi për transakcionet e pronave), me çka e kishin fituar besimin e popullit dhe e kishin funksionalizuar sistemi ligjor të pronës. Ligji më shumë u fokusua në të drejtat pronësore, se sa në realitetin fizik të saj. Prona u trajtua si marrëveshje midis njerëzve për mbajtjen, përdorimin dhe shkëmbimin e saj, me qëllim të nxjerrjes së fitimeve maksimale. Pastaj me një paketë të ligjeve tjera, pronës iu kishte hapur rruga të hynte në raporte të reja që i ofronte ekonomia e tregut, me çka ajo fitoi vlera të shtuara.

Rezultat e arritura ishin të jashtëzakonshme:
– pasuritë dhe bizneset në nivel kombëtar identifikoheshin lehtë nga kushdo dhe dolën nga anonimiteti;
– toka dhe objektet nuk kishin më pronar të dyfishtë;
– u zvogëluan konfliktet në mes të qytetarëve;
– u ul korrupsioni dhe krimi i organizuar;
– u rrit besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit;
– shteti e pati më të lehtë të bëjë politika më të mira;
– pronarëve iu dha mundësia që gradualisht pronat e tyre ti pozicionojnë në tregjet e zgjeruara të kapitalit, ku ata për herë të parë i shumëfishuan fitimet.

Kështu kontratat sociale të pronave që ishin të pa zhvilluara, u transformuan në asete të zhvilluara.
Qeveria e Kosovës bashkë me donatorët, gjatë dy dekadave të fundit, kanë shpenzuar miliona euro për programet e modernizimit të aparatit kadastral, ku deponohet informacioni fizik për pronat. Por ky informacion nuk thotë asgjë për të drejtat e mbajtjes dhe shfrytëzimit të saj. Kjo pamje fiktive nuk ia mundëson asaj të hynë në tregje të zgjeruara dhe të bëhet kapital, e të jap efekte sociale.
Këtë e bënë vetëm një model i ligjit të pronësisë, i cili e rregullon potencialin ekonomik të pronës dhe ia mundëson asaj të lidhet me qarqet financiare dhe investive.

Kosova nuk duhet të vonohet që ta zbatoj këtë përvojë. Me të, nuk do të ketë afera të pista si ajo me emrin “Toka” dhe mijëra hektarë të tokave dhe shumë objekte “të privatizuara”, që sot më shumë janë barrë, do të kalojnë në duar të arta e do ta japin kontributin e tyre në zhvillimin e Kosovës.