Prokurorja tregon pse i nisi hetimet ndaj njerëzve të ‘Pronto’-s

E publikuar: 04/02/2019 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, kundërshtoi të hënën kërkesat e avokatëve të të akuzuarve në rastin e aferës së përgjimeve ‘Pronto’ për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Sipas saj, rasti ka të bëjë me ndarjen e posteve publike në bazë të afërsisë partiake.

Në këtë aktakuzë janë përfshirë zyrtarë të lartë të PDK-së, në mesin e të cilëve edhe ministra e deputetë.

Hajdari e mori fjalën në seancën e sotme gjyqësore pasi gjykatësi i rastit Shasivar Hoti mori mendimet e avokatëve dhe të të akuzuarve, të cilët e kundërshtuan aktakuzën e ngritur në prill të vitit të kaluar.

“Kjo çështje penale trajton një fenomen të ndarjes së posteve mbi baza politike apo mbi baza personale. Këtu u dëgjua nga një avokat se aktakuza është ngritur nën presion të mediave çka nuk është e vërtetë. Është e vërtetë se Prokuroria ka inicuar hetimin më bazë të asaj se çka ka dëgjuar në media dhe ky është një obligim i Prokurorisë dhe nuk është as hera e parë e as hera e fundit që Prokuroria të fillojë një hetim në bazë të informimit në media”, tha Drita Hajdari.