Prokuroria në Prizren sekuestron qindra pako të medikamenteve të kontrabanduara nga Serbia

E publikuar: 05/06/2019 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore e Prizrenit në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë arritur të sekuestrojë sasi të konsiderueshme të medikamenteve të kontrabanduara pa banderola, por edhe me banderola, të vendeve të rajonit, përcjell Gazeta Express

Përmes raportit 48-orësh të Prokurorisë së Shtetit është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Prizrenit, me dyshimin për medikamente të kontrabanduara dhe pa banderola.

“Gjatë kontrollit janë gjetur sasi të konsiderueshme të medikamenteve pa banderola dhe me banderola të vendeve të rajonit si Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria. Me këtë rast, janë sekuestruar 688 pako me medikamente të llojeve të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prizrenit për 48 orë ka ngritur 2 aktakuza kundër tre personave për këto vepra penale: “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” sipas KPRK-së.