Prokuroria kërkon paraburgim për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

E publikuar: 08/10/2019 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit, S.T nga Vushtrria, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit“ dhe Sh.K, nga Vushtrria, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit“.

Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet Sali Tahiri, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrris, Xhafer Tahiri.

“Me tu publikuar video-incizimi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi, ku pas hetimeve janë ndaluar dy të dyshuarit S.T dhe Sh.K, dhe për momentin gjenden në ndalim 48 orësh”, thuhet në një komunikatë për media të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.