Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për të dyshuarit për vrasjen e Aulonit

E publikuar: 18/09/2017 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

G.H , 16 vjeç dhe R.G, 15 vjeçe, janë arrestuar të dielën pak para mesnatës nga ana e pjesëtareve të Policsë së Kosovës si të dyshuar për vrasjen e Aulon Zekës, 16 vjeçar, i cili u gjend i vrarë të shtunën me katër plumba në afërsi të shkollës “Model”, në Prishtinë. Prokuroria ka kërkuar që ndaj të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji

Kështu ka bërë me dije të hënën për Gazetën Express, prokurori i rastit, Valdet Gashi. Ai shpjegoi se pritet që gjatë 24 orëve të cilat llogariten që nga koha e arrestimit, të caktohet dhe shqiptimi i masës pasi dhe ky është dhe se sipas tij ky është afati i vetëm ligjor që një i mitur i dyshuar duhet të dalë para Gjykatës.

“Ne, në bazë të provave kemi kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit”, ka thënë Gashi për Express.

E ndërkohë me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit, dy të arrestuarit mbrëmë në orët e vona janë dërguar në Qendrën e mbajtjes.

Ndërkohë që Express, mëson se lidhur me këtë rast nga ana e Policisë se Kosovës janë intervistuar edhe disa persona të tjerë si dëshmitarë për rastin. Në mesin e tyre është edhe një person tjetër i mitur, i cili kishte qenë shok me Aulonin, 16 vjeçar, tashmë të vrarë, me të cilin viktima kishte biseduar para se të dilte nga shtëpia.

E ndërkaq, i dyshuari si autor i vrasjes, mashkull, nuk e ka pranuar fajësinë për krimin, ndërsa e pafajshme është deklaruar edhe një femër, që dyshohet si pjesëmarrëse në veprën penale.

Express ka raportuar më herët duke u bazuar në burime se i dyshuari kryesor për vrasjen e Aulon Zeka është një shok i tij i ardhur nga Amerika, me të cilin kishte pasur edhe një herë tjetër probleme.

Jo zyrtarisht, Express ka mësuar se vajza e arrestuar është e dashura e të dyshuarit për vrasjen e Zekës.