Prokuroria ka prova që dëshmojnë përfshirjen e tre të arrestuarve në vrasjen e Ivanoviqit

E publikuar: 24/11/2018 19:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca dëgjimore ndaj 3 të arrestuarve serbë, të cilët dyshohen se kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Dragisha Markoviqi, Sasha Gjuriqi dhe Nedelko Spasojeviqi janë sjellë në Gjykatë, nën masa të rrepta të sigurisë, raporton KTV.

 

Dy nga të arrestuarit janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Për të tre të dyshuarit, Prokuroria Speciale ka kërkuar masën prej 30 ditësh paraburgim, kërkesë kjo, e cila u miratua nga gjykata.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë për këta të pandehur ishte paraparë në orën njëmbëdhjetë.

Refuzimi i njërit prej të dyshuarve që të pranojë avokatin e caktuar në detyrë zyrtare, ka zvarritur seancën për përcaktimin e masës së sigurisë për disa orë.

Megjithatë, ai ka pranuar avokatin e fundit që i është caktuar.

E, pas shumë orë pritjeje, filloi seanca pa praninë e mediave.

Por, tre avokatët e të dyshuarve kanë mohuar pretendimet e prokurorisë, duke thënë se nuk ka dëshmi se i ndërlidh klientët e tyre me vrasjen e Ivanoviqit.

Gjatë orëve të hershme të së premtes, Policia e Kosovës ka arrestuar në veri të Mitrovicës, tre persona të dyshuar që ndërlidhen me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Personi i katërt është arrestuar për shkak të pengimit të punës së policisë.

Në kërkim si i dyshuar për këtë rast është edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq.