Prokuroria gjermane mund të ngrejë padi kundër klerikut iranian

E publikuar: 10/01/2018 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e prokurorit të Gjermanisë po e shqyrton mundësinë e paraqitjes së akuzave eventuale kundër një kleriku të lartë iranian, i cili ishte përmendur si lider i ardhshëm suprem i Iranit dhe i cili aktualisht po mjekohet në Gjermani.

Një zëdhënës i kësaj zyreje tha dje se e ka pranuar një shkresë nga një ish-ligjvënës gjerman, kundër Ajatollah Mahmud Hashemi Shahrudi, ku kleriku akuzohet se ka kryer “krime kundër njerëzimit” gjatë një dekade të mikëqyrjes së tij të qindra ekzekutimeve, derisa për një dekadë ishte në krye të Ministrisë së drejtësisë së Iranit.

Zyra e prokurorit të Gjermanisë nuk ka njoftuar se sa do të zgjasë ky shqyrtim për të vepruar sipas pretendimit të ish-ligjvënësit gjerman, Volker Beck.

Shahrudi, i cili është përmendur si pasardhës i mundshëm i Liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka nxitur protesta dhe kritika të ashpra gjatë qëndrimit në një qendër për trajtim neurologjik në qytetin verior Hanover në Gjermani.

Bild: Gjyqtari i vdekjes në Iran, pacient luksoz në Gjermani

E përditshmja e njohur gjermane Bild, në ballinën e saj pardje e ka botuar titullin: Gjyqtari i vdekjes në Iran, pacient luksoz në Gjermani”.

Gazeta Jerusalem Post ka raportuar se një prokuror në Hanover, po ashtu, po e shqyrton mundësinë e paraqitjes së akuzave penale kundër Shahrudit.

Afro 200 vetë kanë dalur para spitalit, ku ai po qëndron, më 6 janar, për të protestuar kundër ekzekutimeve të afro 2 mijë iranianëve, që kanë ndodhur derisa ai ishte ministër i drejtësisë i Iranit.

Në këto ankesa kundër tij pretendohet se ai mund të ndiqet sipas ligjit gjerman për krimet e dyshuara të kryera në Iran. Shahrudi deri tash nuk ka bërë komente publike për akuzat kundër tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Gjermanisë, Rainer Breul, tha se Shahrudi ka kërkuar trajtim në Gjermani për “sëmundje serioze” dhe kjo kërkesë e tij është miratuar, pasi janë dhënë “arsye të besueshme shëndetësore”.

A do të ketë Ajatollah Shahrudi imunitet?

Gazeta Bild ka raportuar se qeveria gjermane ka përcaktuar se Shahrudi, i cili aktualisht është anëtar i Asamblesë së Ekspertëve në Iran dhe konsiderohet se është zyrtar qeveritar, atij mund t’i jepet imunitet diplomatik kundër ndjekjes ligjore.

“Do të ishte gabim i madh nëse qeveria federale i mundëson imunitet diplomatik këtij organizuesi të vrasjeve masive nëpërmjet sistemit të drejtësisë së Iranit”, i ka thënë ish-ligjvënësi, Volker Beck, gazetës, Jerusalem Post, duke i shpjeguar shkaqet në të cilat ai e ka mbështetur ankesën e tij kundër ish-ministrit, Mahmud Hashemi Shahrudi.

“Gjermania nuk duhet të jetë strehim për njerëzit e këtillë, të cilët në vendin e tyre i dënojnë njerëzit për shkaqe politike ose religjioze dhe u kërcënohen atyre me vrasje”, tha Beck dhe ka shtuar se “regjimi i Iranit i persekuton femrat, të cilat ishin dhunuar, homoseksualët, kurdët, bahaistët dhe ateistët”.

AI: Nën Shahrudin janë kryer 2 mijë ekzekutime

Shahrudi e ka udhëhequr drejtësinë e Iranit në perudhën 1999 – 2009. Organizata Amnesty International tha se gjatë kësaj periudhe ai i ka kryer më tepër se 2 mijë ekzekutime, përfshirë të rinj, ndërsa e ka mbikëqyrur torturimin e të burgosurve dhe arrestimet e aktivistëve politikë dhe të të drejtave të njeriut.

Shahrudi ishte student i liderit të parë suprem në Iran, Ajatollah Ruhollah Khomeini, dhe konsiderohet se është pasues i denjë i tij.

Saba Farzan, drejtor ekzekutiv gjermano-iranian i Qarkut për Politikë të Jashtme, që është një institut strategjik në Berlin, i tha gazetës Jerusalem Post, se “përfaqësuesi i diktaturës islamike kurrsesi nuk do të duhej të ishte në territorin evropian” dhe se ndjekja penale është “absolutisht rrugë e drejtë”.

“Këta shkelës të të drejtave të njeriut duhet të mësojnë se ata nuk mund t’i privojnë shtetasit e tyre nga të drejtat e tyre të patjetërsueshme dhe pastaj të marrin trajtim luksoz mjekësor dhe, po ashtu, politik”, tha Farzan.

Reinhold Robbe, ish-kryesues i Shoqatës së miqësisë gjermano-iraniane, tha se “është goditje në fytyrë të iranianëve në ekzil dhe të tjerëve, duke e parë një ish-lider të tillë të regjimit iranian, që trajtohet në Gjermani”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi