Prokuroria e Shtetit ende s’i zbuloi veteranët mashtrues

E publikuar: 01/10/2016 11:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ka lista të manipuluara të veteranëve. Edhe ish-udhëheqësit e UÇK’së kanë thënë se listat janë fryrë. Pavarësisht këtyre deklaratave, Prokuroria e Shtetit ka heshtur. Ende asnjë veteran mashtrues se ka dërguar në Gjykatë.

Kryetari i Komisionit qeveritar për verifikimin e statutit të veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku, vazhdon të besojë se në këto lista nuk ka parregullsi aq të mëdha, sikur po raportohet në media, dhe sikur po thuhet nga një grup i ishpjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po vazhdojnë të protestojnë para Qeverisë, për shkak të moskryerjes së obligimeve, me arsyetim për mungesë buxheti.

Gjeneral Çeku thotë për Kosova Sot se u beson shumë komandantëve të tij, që e kanë bërë verifikimin e listave finale dhe e kanë dorëzuar në komision.

Ndërsa Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka informuar dje kabinetin qeveritar lidhur me mungesën e mjeteve te kategoria e pensioneve për veteranët e luftës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në konsultime të vazhdueshme ditore me Ministrinë e Financave për gjetjen e këtyre mjeteve. Po flasim për mjete financiare vetëm për pagesën e muajit shtator, një minus prej 1.6 milion euro, të cilat jemi duke i kërkuar, por gjithashtu jemi në konsultime edhe për mjetet financiare për tremujorin e fundit me një faturë prej rreth 5 milionë euro në muaj. Besoj që shumë shpejt do të reagojmë për pagesën e këtij muaji, mungesën e fondit apo pagesave të pensioneve për muajin shtator, do të punojmë edhe për tremujorin tjetër për gjetjen e mjeteve shtesë”, u shpreh ai.