Prokuroria dhe policia: Procesi po shkon mirë, nuk kemi ende asnjë rast penal

E publikuar: 11/06/2017 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorët dhe policët po qëndrojnë në të gjitha qendrat e votimit. Laura Pula nga Prokuroria tha se gjatë ditës së sotme, deri në orën 11:00, nuk ka asnjë rast penale.

“Kemi disa informacione që po hetohen nga prokuroria. Prokurori në bashkëpunim me policinë kanë ndërmarr të gjitha masat e duhura për një proces të rregullt. Jemi duke intervistuar dy persona për një rast kërcënimi. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që të denoncojnë të prokurorët çdo rast për të cilin kanë dyshime”, ka thënë Pula.

Ndërsa Naim Rexha nga Policia e Kosovës thotë se gjendja për momentin është e qetë në gjithë vendin.

“Policia e Kosovës është plotësisht aktive në përmbushjen e urdhrit operativ për zgjedhjet e përgjithshme. Në përgjithësi bashkëpunimi është i ngushtë me prokurorin e shtetit. E kemi mbulimin në të gjitha qendrat e votimit. Deri në këto momente, policia ka katër informacione të cilat kanë arritur nga qendrat e ndryshme të votimit të cilat është duke i trajtuar në bashkëpunim me prokurorin përkatës të shtetit. Policia vlerëson se është duke u zhvilluar një aktivitet i qetë”, ka thënë Rexha.