Prokuroria analizon dëshminë e Thaçit për deklaratën se “Syri i Popullit” u themelua nga Kurti e Konjufca

E publikuar: 29/12/2018 19:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dëshmitë e presidentit Hashim Thaçi mund të jenë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Thaçi, në cilësinë e dëshmitarit, një ditë më parë, para gjykatës tha se Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja, janë themeluesit e organizatës “Syri i Popullit”, qëllimi i së cilës ishte eliminimi i figurave publike, raporton KTV.

Prokurori special Sylë Hoxha, përmes telefonit, ka thënë se po pret procesverbalin e seancës së dëshmisë së presidentit për të parë nëse kjo dëshmi ka bazë të mjaftueshme për hetime.

Por, dëshmia e presidentit nuk i ka bërë shumë përshtypje liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Kurti, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, deklarimet e presidentit i ka quajtur shpifje, derisa ka theksuar se presidenti është në panik.

E, për këto deklarime të presidentit ka reaguar edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, tashmë i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj, deklarimet e Thaçit i ka quajtur të ulëta dhe të papranueshme.

Gjatë dëshmisë së tij, një ditë më parë, presidenti e ka cilësuar ndërmarrje vrasëse organizatën “Syri i Popullit”, derisa si rrethanë lehtësuese ai e kishte cilësuar mbylljen e seancës gjyqësore.

Por, kryetarja e trupit gjykues, përmes një urdhri, ndaloi mediat që të xhironin deklaratën e presidentit.

Pas këtij urdhri, gazetares së “Kohës Ditore”, Sarandaj Ramaj, iu mor telefoni nga mbrojtja e afërt e presidentit.

Për më tepër, Ramaj, për disa orë rresht, është mbajtur në stacion policor derisa telefoni i saj ishte konfiskuar nga mbrojtja e afërt.

Në seancën e së premtes, përveç presidentit Hashim Thaçi, dëshmitë e tyre i kanë dhënë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, deputeti Faton Topalli, e ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi .