Prokurori: Me pensionin e Zvicrës, Azem Syla ka financue grupin kriminal

E publikuar: 01/11/2016 19:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale ka ngritë pretendime se paret nga Sigurimi Social i Zvicrës kanë mujt me u shfrytëzue për financimin e grupit kriminal të drejtuem nga ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’s dhe ish deputeti i PDK’s, Azem Syla. Kështu të paktën pretendon prokurori Italian Danillo Ceccarelli, i cili disa ditë ma parë dorëzoi në gjykatë aktakuzën ndaj grupit të ‘Dajës’ me shokë.

Në aktakuzë në pjesën ku përshkruhet mënyra e financimit të grupit, Prokurori ngre hipotezën se paret, të cilat Azem Syla i kishte përfitue nga sigurimi social në Zvicër kanë mujt me u përdorë nga grupi për me financue aktivitetin e tyne.

“Në vitin 2012, Prokuroria e Zvicrës kishte adresue nji kërkesë te Ministria e Drejtësisë së Kosovës për ndihmë juridike ndërkombëtare ku shkruhej se Azem Syla kishte marrë nji ndihmë sociale në vlerë prej 480 mijë frangash në mes Gushtit 2002 dhe Kallnorit 2011 si formë kompensimi për problemet e tij mendore”, thuhet në aktakuzë.

Në faqen 81 të aktakuzës prokurori ngre dilemën se qysh njani nga njerëzit me influencë të naltë politikë, anëtar i partisë me ndikim dhe hero i luftës në Kosovë ishte i njohun si person me probleme mendore në Zvicër.

Prokurori pretendon se ka sigurue prova se në nisje të biznisit të tokave, paret e para kishin ardhë nga Azem Syla.

“Shpresim Uka dhe Shaban Syla i thanë dëshmitarit se paret për financimin e biznisit të tokave erdhën nga Azem Syla- fillimisht 50 mijë euro- dhe mandej ishin përmendë shuma ma të mëdha paresh”, thuhet në aktakuzë.

Gurpi tutje kishte rritë biznisin dhe shumat e pareve tue përmendë vlera të tjera të pareve dhe tokave të shituna.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e cila asht sigurue nga KALLXO.com shpjegon metodat, të cilat grupi i kishte përdorë për të ndryshue vendime gjyqësore tue përdorë dokumente të falsifikueme.