Prokurori i Speciales e cilëson si produktive vizitën në Kosovë, a po përgatiten aktakuzat e para?

E publikuar: 05/11/2018 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurori i ri i Gjykatës Speciale, Jack Smith, qëndroi gjatë javës së kaluar për një vizitë në Kosovë ku u takua me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Kjo vizitë, nga shumëkush u cilësua si shenjë se aktakuzat e para nga kjo Gjykatë pritet të ngriten së shpejti, transmeton lajmi.net.

E lidhur me këtë vizitë, ka folur për herë të parë vetë Jack Smith.

Ai ka thënë se qëndrimi i tij në Kosovë ishte mjaft produktiv.

“Zyra e Prokurorit Special është e fokusuar në vazhdimin dhe implementimin e mandatit të saj”, i ka thënë Evropës së Lirë Jack Smith.

Zyra e Prokurorit Special në Kosovë është ngritur me qëllimin e hetimit të krimeve të luftës të kryera nga shqiptarët gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.

Ky institucion është aktiv që nga viti i kaluar, mirëpo deri më tani nuk është ngritur aktakuzë.

Ndërkaq, më herët ishte bërë e ditur se ka filluar intervistimi i dëshmitarëve, proces për të cilin avokatët e akredituar nuk ishin në dijeni.