Prokurori Abdurrahim Islami, i kënaqur me vendimin për aktivistët e Vetëvendosjes

E publikuar: 17/11/2017 15:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Unë kam qenë prezent në gjykatë, por jam vonuar për të qenë me kohë brenda sallës”, ka thënë prokurori Abdurrahim Islami. Ai është shprehur se është i kënaqur me vendimin e shpallur sot nga Gjykata.

“Nga fillimi në bazë të provave që i kemi paraqitur dhe të cilat janë administruar në gjykatë, kemi qenë të bindur në fajësinë e të akuzuarve”, ka thënë Islami. Ai ka shtuar se pretendimet e Prokurorisë janë vërtetuar edhe nga vetë gjykata.

I pyetur nëse do të bëjë ankesë për lartësinë e dënimit të sotëm, ose për ndonjë çështje tjetër rreth këtij rasti, Ismajli nuk ka dashur të përgjigjet saktë.

“Për momentin nuk jam duke menduar të bëj ankesë për vendimin e gjykatës, por definitivisht për ankesë të mundshme do flasim pasi ta marrim vendimin e gjykatës”, tha Islami.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë i drejtuar nga gjykatësi Beqir Kalludra e shpalli aktgjykimin ndaj katër të dyshuarve për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ata janë shpallur fajtorë në akuzën për të cilën janë ngarkuar dhe janë dënuar me një total prej 21 vjetësh e 6 muajsh burg.

Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Mbështetësit e të akuzuarve në sallë kanë protestuar në momentin kur gjykatësi i shpallte aktgjykimet dhe kjo ka bërë që ai të urdhërojë nxjerrjen nga salla të disa pjesëmarrësve.