Prokurorët nga nesër me kod të etikës

E publikuar: 28/02/2019 12:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorët e Kosovës që nga nesër do të jenë me kod të etikës.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga KDI, raporton lajmi.net.

“Kodi i ri i etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë do të hyjë në fuqi prej nesër.  Ky kod u përpilua nga ekipi i prokurorëve holandez, në kuadër të projektit “Promovimi i Integritetit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”, që u zbatua nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Lëvizja FOL dhe Qendra Holandeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor (CILC), i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Pikërisht ky projekt u përmbyll gjatë ditës së djeshme dhe përmes një tryeze u diskutua mbi të arriturat dhe aktivitetet e tij.

Me këtë rast Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Shtetit shprehu kënaqësinë e tij që projekti i cili u pat iniciuar pas konsultimeve intensive me Ambasadën e Holandës rezultoi me sukses të plotë.

“Kemi kodin e ri të etikës për prokurorë, komentarin i cili derivon nga po ky kod dhe modulet për një sërë trajnimesh të dizajnuara nga ekipe të trajnerëve holandezë. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët tanë të besueshëm në mënyrë që të avancojmë më tej efikasitetin, efiçiencën si dhe transparencën e llogaridhënien”.

Ambasadorja holandeze Gerrie Ëillems, tha se të gjithë në këtë sallë duhet t’a kenë të qartë se puna jonë nuk përfundon këtu. “Ky është vetëm hapi i parë”, theksoi ambasadorja Ëillems dhe vazhdoi “pjesa më e rëndësishme e punës na pret në të ardhmen: zbatimi i plotë i reformave tashmë të iniciuara.

Vetëm në këtë mënyrë ju do të siguroni qëndrueshmëri të reformave dhe përmirësime konkrete në fushën e integritetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, për të mirën e juaj si prokurorë, por edhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Kjo do të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë “.

Z.Ëillem van Nieuëkerk, Drejtor i CILC, theksoi rëndësinë e integritetit si në jetën tonë personale ashtu dhe në performancën tonë gjatë karrierës profesionale. “Integriteti kërkon vëmendje të vazhdueshme”, tha ai duke vazhduar se “në punën tonë të përditshme përballemi me dilema morale dhe është pikërisht kodi i etikës mekanizmi që siguron kornizën e zgjidhjes së këtyre dilemave.

Me këtë projekt kemi sjellë përvojën e Prokurorisë së Holandës dhe bashkë me kolegët tanë kosovarë kemi hartuar kodin e ri të etikës dhe komentarin që ofron shembuj ilustrues nga puna e përditshme e prokurorëve.

Shpresojmë që Prokuroria e Shtetit do të përdorë në mënyrë efektive kodin e etikës si mjet që ofron strehë të sigurt dhe mbështetje gjatë punës suaj”, përfundoi prezantimin e tij Z. Van Nieuëkerk.

Z. Bahri Hyseni, Kryesuesi i sapozgjedhur i KPK-së, përsëriti zotimin e z. Lumezi se Prokuroria e Shtetit në Kosovë do t’i mbajë gjithmonë dyert e hapura për partnerët që kanë vullnet të mirë për të na ndihmuar në përmirësimin e punës sonë.

“KPK po punon në planin e ri strategjik ku komponenti i ndërtimit të kapaciteteve përmes programeve të ndryshme të trajnimit për prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tyre profesional përbën pjesën më të madhe të saj”, mbylli prezantimin  e tij z. Hyseni.

Ky projekt dyvjeçar që ofroi mbështetje teknike dhe ekspertizë për sistemin e drejtësisë u zbatua bashkërisht nga CILC, KDI dhe FOL.

Aktiviteti i sotëm shënoi përmbylljen zyrtare të projektit pas zbatimit me sukses të një sërë aktivitetesh duke filluar nga hulumtimi i plotë i integritetit në sistemit Kosovar të drejtësisë, përpilimi i kodit të ri të etikës, komentari i kodit dhe një sërë trajnimesh mbi etikën, mediat dhe marrëdhëniet me publikun.