Projektet kulturore të para një dekade në programin e Qeverisë së re

E publikuar: 20/09/2017 09:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës në Programin e punës për katër vjetët e ardhshëm ka projekte kulturore që për vite gjenden në sirtarët e Ministrisë së Kulturës.

Sipas programit të Qeverisë, që tashmë është votuar nga Ekzekutivi, do të vazhdohet puna për projekte kapitale në kulturë, si teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” dhe ai për Muzeun e arteve bashkëkohore, shkruan sot “Koha Ditore”. Që të dyja këto projekte numërojnë më shumë se një dekadë, që premtohen nga secili kabinet qeveritar.

Ministria e Kulturës synon të ndërtojë një muze të ri, atë të paqes. Por sipas ish-kabinetit të Ministrisë së Kulturës edhe ky projekt është paraparë në qeverisjen e tyre. Pavarësisht këtyre planifikimeve, shteti tash e 18 vjet nuk ka një Ligj për muzetë, i cili do të rregullonte edhe procesin e themelimit të një muzeu. Pos kësaj, në Programin e Qeverisë për katër vjetët e ardhshëm planifikohet që të bëhen reforma në organizimin e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe rishikim i legjislacionit.

Sipas Programit të Qeverisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të sponsorizojë një proces të gjerë për rishikimin e të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore, të cilat rregullojnë fushën e kulturës, dhe njëkohësisht do të avancojë legjislacionin për fushën e kulturës.