Projekt prej 25,5 milionë dollarë për shëndetësinë kosovare

E publikuar: 18/06/2015 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani dhe Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Jan Peter Olters, kanë lancuar sot edhe formalisht Projektin e Shëndetësisë së Kosovës

Në vlerë prej 25.5 milionë dollarë amerikanë, që financohet nga kredia e Bankës Botërore dhe që ka për qëllim mbrojtjen financiare dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Në lansimin e këtij projekti, sipas komunikatës së MSh-së, ministri Rrahmani ka thënë se Projekti i financuar nga BB “përkrah rrugëtimin e shëndetësisë kosovare drejt mbulimit universal dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në përgjithësi, dhe në veçanti në kujdesin parësor shëndetësor.

“Projekti përkrah reformën e financimit shëndetësor që në të vërtetë kërkon një koordinim të nivelit të lartë të gjithë faktorëve relevantë të sistemit shëndetësor”, ka thënë Rrahmani. Sipas tij, projekti përkrah mekanizmat e financimit shëndetësor, ato ekzistuese dhe të reja për të siguruar një tranzicion të lehtë të reformave të financimit shëndetësor dhe në këtë drejtim banka Botërore mbetet partneri kryesor i MSh-së.

Menaxheri i BB-së për Kosovë Jan Olters ka thënë se projekti ka për qëllim forcimin e institucioneve, duke përfshirë ed he proceset e prokurimit për produkte farmaceutike dhe kujdesin shëndetësor edhe për të varfrit. Sipas tij, MSh është duke zbatuar reforma të rëndësishme për të adresuar dobësitë e shfaqura, kurse projekti synon që të reduktohen pagesat private duke përfshirë edhe ato për barna, sigurimin e shërbimeve më të mira nëpërmjet sigurimit të detyruar shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor nëpërmjet kontraktimit të bazuar në performancë, midis Komunave, MSH-së dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Projekti për Shëndetësinë në Kosovë është pjesë marrëveshjes me Bankën Botërore, e cila krahas këtij projekti në shëndetësi, në janar të këtij viti ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetje edhe të Projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme ( 31 milionë dollarë), thuhet në komunikatë.