Progres në ndërtimin e pikëkalimeve kufitare me Serbinë

E publikuar: 22/04/2016 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se ka përparime të rëndësishme në përgatitjet për ndërtimin e gjashtë pikëkalimeve të përhershme kufitare të IBM-it, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ajo ka thënë se faza e parë e projekteve është në finalizim e sipër, ndërsa pastaj vijojnë fazat tjera të projektimit final të ndërtesave të përhershme të pikëkalimeve kufitare mes dy shteteve. Ky projekt madhor për Kosovën financohet nga Bashkimi Evropian.

BE ka përzgjedhur organizatën UNOPS për agjenci zbatuese të këtij projekti si në Kosovë e po ashtu edhe në Serbi. Ndërtimi do të përfshijë të gjitha gjashtë pikë-kalimet kufitare në mes të dy shteteve dhe do të kushtoj rreth 24 milionë euro të ndara nga fondet IPA të BE-së për të dyja shtetet.

Nga ana e saj, Qeveria e Kosovës është duke i përmbushur sipas afatit të gjitha obligimet që ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjes për IBM dhe aspektit të ndërtesave të përhershme, pasi tashmë është duke i bërë shpronësimet për lokacionet ku do të vendosen ndërtesat e pikë kalimeve kufitare si dhe obligimet tjera rreth këtij procesi.

UNOPS ka kryer survejimet topografike dhe gjeoteknike të tokës dhe shumë shpejtë do t’i paraqes për aprovim dizajnët e ndërtesave. Nga muaji korrik deri në gusht të vitit 2016 do të tenderohet projekti dhe ndërtimi pritet të filloj në mes të muajit shtator në PKK-në e IBM-së në Merdare, një muaj më vonë në PKK Mutivodë dhe në mes të nëntorit PKK Bërnjak, ka theksuar Ministrja Tahiri e cila ka thënë se projektet e lokacioneve janë përfunduar dhe për opinionin publik po i ndajmë pamjet e dizajnëve.

Edita Tahiri