Proceset integruese kushtëzohen me Gjykatën Speciale

E publikuar: 06/06/2015 14:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të jetë i varur nga hapat që marrin institucionet e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tyre, për aq kohë sa vonohet themelimi i kësaj gjykate, edhe procesi integrues i Kosovës do të ngec. Në anën tjetër, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku mohon të ketë ndërlidhje ndërmjet MSA-së dhe Gjykatës Speciale

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ishte paraparë të nënshkruhej nga mesi i këtij muaji, por sipas të gjitha gjasave nënshkrimi do të shtyhet. Edhe nga Brukseli është raportuar për mundësinë e shtyrjes së datës së nënshkrimit të MSA-së. Përmenden arsye të ndryshme për këtë shtyrje, por njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani konsideron se shtyrje të nënshkrimit të MSA-së do të ketë, për aq kohë sa institucionet e Kosovës nuk vendosin për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Konsideroj që po, është duke e kushtëzuar dhe do ta vonojë sado që të vonohet krijimi i kësaj gjykate, do të prolongohet edhe procesi i ratifikimit të Stabilizim Asociimit”, tha Ujkani për Radio Kosovën.
Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku mohon të ketë lidhje ndërmjet nënshkrimit të MSA-së dhe themelimit të Gjykatës Speciale.

“Shtetet partnere të Kosovës kanë bërë thirrje që Gjykata Speciale të themelohet, por një gjë e tillë nuk ndërlidhet me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe me procesin e liberalizimit tëvizave. Së paku asnjë zyrtar i BE-së nuk me ka thënë mua që këto gjëra janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, tha Çollaku.
Çollaku thotë se Kosova është gati për nënshkrimin e MSA-së dhe pret vetëm gatishmërinë e BE-së, ndërsa thekson se nuk ka asnjëlloj komplikimi serioz që mund ta zvarris nënshkrimin e MSA-së, për të cilin, ai shprehet optimist se do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme.

Por, njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani thotë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për plotësim të kushteve, porse sipas tij, Kosova po bie viktimë e imponimeve nga BE-ja.

“Nuk është më çështje parimore, sa është cështje e një imponimi që BE-ja e ka vendosur karshi Kosovës me standardet shtesë dhe mendoj se ratifikimi i MSA-së po kushtëzohet dhe do të jetë i tillë deri në momentin e themelimit të Gjykatës Speciale”, tha ai.
Ndryshe, javën e kaluar ishte paraparë të votoheshin ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, por kjo çështje u shty me arsyetimin se mungon materiali, por ndërkohë, edhe mungesa e votave të nevojshme u pa që është një arsye për shtyrje. Ndërkohë, është raportuar se ngecjet e Kuvendit të Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, po ndihmojnë që zyrtarët në Bruksel nënshkrimin e MSA-së ta përdorin në formë kushtëzimi për t’u bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për themelimin e këtij institucioni.