“Problemi” Kosovë – Shqipëri i shpifur

E publikuar: 04/08/2018 23:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Jakup Krasniq

Për njerëzit me njohuri mesatare e mbase edhe me përgjegjësi mesatare, Shqipëria dhe Kosova problemin shekullor e kryesor e kanë me Serbinë e jo njëra me tjetrën. “Problemi” i shfaqur në medie mes Thaçit e Berishës, mes dy “miqve” të vjetër është si lufta e Bali Katravellës me mullit e erës?!

Deklarata e Sali Berishës për deklaratën e papërgjegjshme të Thaçit për Preshevën, ishte një goditje e saktë. Ndonëse nuk jam prej atyre që e vlerësoj Berishën për goditje të sakta. Por, edhe në ketë rast, u vërtetua ajo thënia e njohur e popullit: “S’ke nevojë që të kesh armiq, mjafton ta thuash të vërtetën që t’i krijosh ata”!

Përgjigja që Thaçi i dha Sali Berishës është përgjigje më shumë se idhnake. Madje, edhe po të ishte e vërtetë ajo që Thaçi e tha për te, pse duhej të thuhej më kaq shumë vonesë?! Kur dihet se Millosheviqi, Bin Ladeni e Arkani më nuk janë në jetë? A mos po del në ketë rast sedra e Thaçit mbi interesin e kombit? A kështu na qenka udhëheqësi i pa gabueshëm e “ylli i shekullit”? Si po shkruajnë autorët e huaj e të blerë nga Thaçi?

Ky Thaçi po del që të jetë me sedër të madhe, me inat të papërmbajtshëm ndaj një mendimi të kundërt të një miku të tij, siç ka deklaruar vet shumë herë, pse në rastin e Kosovës mos ta vente edhe interesin e tij mbi interesin e Kosovës e Preshevës marrë se bashku? Mbase, sjellja e tij me miqtë në ketë mënyrë, sikur i është bëre traditë.
Pozicioni personal i Thaçit, është pozicion për ruajtjen e miqve të vjetër dhe krijimin e të rinjve dhe jo vetëm brenda kombit! Ai gjatë këtyre viteve ka krijuar shumë armiq në Kosovë sa ka mbetur i rrethuar vetëm me armiqtë e tij të djeshëm të cilëve po u shpërndanë pozita shtetërore si të ishin ato karamele se për dekorime e medalje mos të flasim?!

Kjo gjuhë e vendosur në komunikimit e politikës shqiptare nuk nderon njeri e më se paku njerëzit me përgjegjësi shtetërore. Edhe gjuha që u përdor nga një medie shqiptare e Shqipërisë për Thaçin ishte e të njëjtit nivel. Mbase këto medie partizane, të cilat janë me bollëk, janë krijuar nga “udhëheqësit” e këtij niveli?!
Si është politika tek ne, janë edhe mediet si krijesa të këtij niveli, as profesionale as intelektuale e njerëzore!

Koha është duke kërkuar që më shumë se kurrë, si nga politika ashtu edhe mediet qe me gjithë kapacitetet e tyre profesionale e kombëtare të vihen në shërbim të kombit dhe atdheut! Koha e kërkon bashkimin e territorit e jo shkëmbimin e një hapësire shqiptare më një tjetër! Se pari, duhet garantuar mirë atë që e ke, pastaj, syno edhe të pa mundshmen për ta arritur të mundshmen!

Kjo gjuhë komunikimi që kanë instaluar disa politikanë shqiptarë, nuk prodhon suksesin! Ndryshimi është bërë domosdoshmëri!