Probleme me iPhone X, nuk lejon përdoruesit tu përgjigjen thirrjeve telefonike

E publikuar: 10/02/2018 10:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përdoruesit e Apple kanë raportuar një problem me telefonin 1,000 dollarësh iPhone X i cili në disa raste nuk lejonte përgjigjen e thirrjeve telefonike.

Problemi u raportua fillimisht nga Financial Times ditën e Dielë ku citonte forumet e Apple. Një përdorues e përshkruante situatën kështu: Gjatë një thirrjeje hyrëse në iPhone X fillon tingulli por ekranit i duhen 8 sekonda që të ndizet.

Përdoruesi tha se problemi zgjidhet përkohsisht kur rindizte telefonin por rikthehej pas 15-20 thirrjesh.

Një tjetër përdorues hapi një diskutim më 31 Janar duke folur për një problem të ngjashëm. Përdoruesi tha se kishte përditësuar telefonin në iOS 11.2 dhe më pas në versionin më të fundit iOS 11.2.5.

Konsumatorët thanë se janë ballafaquar me këtë problem të paktën 30 ditët e fundit.

Firma analitike Canalys përllogarit afro 29 milion iPhone X të shitura gjatë Dhjetorit. Në tre mujorin e fundit Apple shiti 77.3 milion iPhone, 1 milion më pak se një vit më parë.

iPhone X ka sjellë një ndryshim radikal në dizajn krahasuar me modelet e mëparshme me veçori si Face ID. Por edhe problemet nuk kanë munguar si vonesat e prodhimit dhe dërgesave. /PCWorld Albanian