Prizren, tryezë e Vetëvendosjes me dy odat ekonomike shqiptare

E publikuar: 18/12/2018 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, organizoi sot një tryezë në Prizren për prodhimin vendas dhe hapat drejt tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë, me Drejtuesin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, dhe me kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Në tryezë morën pjesë përfaqësuesit e shoqatave afariste dhe të zejtarëve të Prizrenit bashkë me afaristë të tjerë nga Kosova e Shqipëria, njofton kumtesa , transmeton Koha.net.

Mytaher Haskuka, e hapi këtë tryezë duke folur për faktin se mes Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar mbi 10 marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe tregun e përbashkët, sakaq tregtia mes dy shteteve ka mbetur mbrapa për shkak të barrierave të shumta jotarifore e pengesave të shtuara.

Të dy kryetarët e odave ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë treguan, se edhe pse ka pasur 5 mbledhje të përbashkëta qeveritare, gjendja sa i përket koordinimit dhe tregut të përbashkët nuk është përmirësuar, radhët në kufi janë shtuar, ndërsa pengesat vazhdojnë të jenë të shumta. Ata shprehën vullnetin për t’u angazhuar maksimalisht për transformimin e kësaj situate.

Albin Kurti, tha se të gjithë në këtë tryezë kanë shprehur dëshirën për më shumë bashkëpunim e koordinim, për të hequr pengesat që e ndalin krijimin e një tregu të përbashkët, pengesa këto që mirëmbahen jo rastësisht, por sepse dikujt i leverdisin. Ai theksoi se këto dëshira duhet të kthehen në plane e koordinim që me vullnet jetësohen.

Pjesëmarrësit në Tryezë e pasuruan diskutimin me shembuj dhe kërkesa konkrete, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit drejt një tregu të përbashkët. Kryetari Mytaher Haskuka e mbylli këtë tryezë duke ofruar gjithë ndihmën e Komunës së Prizrenit në funksion të synimit për shfrytëzimin maksimal të mundësive të bashkërendimit të dy odave për mbështetjen e prodhimit vendas shqiptar.