Pritshmëritë për takimin Trump-Moon

E publikuar: 22/05/2018 15:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Jugut Moon Jae-in do të takohen në Shtëpinë e Bardhë të martën, mes skepticizmit në rritje mbi shanset për një takim të suksesshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut dhe dyshimeve se takimi do të zhvillohet siç është planifikuar.

Gjatë takimit të së martës që pritet të zgjasë dy orë, Moon pritet të përpiqet të inkurajojë Presidentin Trump se takimi i muajit të ardhshëm me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un mund të çojë në një zhvillim historik.

“Unë mendoj se Presidenti Trump ka disa pyetje të vështira për Presidentin Moon që ai do të preferonte t’i diskutonte privatisht, duke patur parasysh mungesën e qartësisë për takimin nga koreano-veriorët, dhe kërcënimet e fundit të koreano-veriorëve për të anuluar takimin e 12 qershorit,” thotë Jean Lee, drejtore e programit Qendra Koreane në Qendrën Wilson.

Presidenti Trump, sipas zyrtarëve në Shtetet e Bashkuara dhe atyre të jashtëm, ka pyetur ndihmësit e tij dhe udhëheqësit e huaj nëse ai duhet të shkojë në Singapor për të takuar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Disa zyrtarë në Uashington, duke folur me kusht që të mos zbulohej identiteti i tyre, gjithashtu fajësojnë zyrtarët e Koresë së Jugut për inkurajimin fillestar që i bënë Presidentit Trump në lidhje me gatishmërinë e udhëhqësit të Koresë së Veriut për të hequr dorë nga armët bërthamore.

Është një pikëpamje të cilën e ndajnë edhe shumë të tjerë.

“Moon ka gjasa ta ekzagjerojë këtë që ta lidhë Presidentin Trump me një rrugë diplomatike për ta parandaluar atë nga kthimi tek kërcënimet e vitit të kaluar për luftë, që i frikësuan koreano-jugorët”, thotë Robert Kelly, profesor i shkencave politike në Universitetin Kombëtar Pusan.

Jean Lee, ish-shefe e Byrosë së Phenianit për Associated Press, e sheh dëshirën e Presidentit Moon për “të luajtur rolin e ndërmjetësit dhe për të treguar se Seuli dhe Uashingtoni janë në koordinim të ngushtë në nivelin më të lartë, të paktën nga pamja e jashtme. Por, unë mendoj se do të jetë një bisedë e vështirë.”

Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të tërhiqet nga bisedimet me Presidentin Trump, duke a fajësuar atë që ato që Pheniani i quan kërkesa të Shteteve të Bashkuara për “një braktisje të një anshme të programeve bërthamore.”

Që nga koha e këtij kërcënimi, Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë kanë mohuar se ata kanë kërkuar të ashtuquajturin “Model të Libisë” për çarmatimin bërthamor, ndërkohë që kanë këmbëngulur që Koreja e Veriut duhet të heqë dorë nga armët bërthamore, një veprim për të cilin Pheniani do të shpërblehej.