Prishtina si në ditë normale, qytetarët injorojnë thirrjet për masat mbrojtëse

E publikuar: 04/05/2020 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pa dorëza, pa maska dhe duke mos respektuar distancën fizike, kështu qytetarët sot “vërshuan” rrugët e kryeqytetit. Prishtina ngjante si në një ditë normale ku rrugët e saj ishin të mbushura me këmbësorë e automjete.

Të hënën e 4 majit kur filluan të zbatohen masat më të lehtësuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19, është vërejtur një fluks i madh i qytetarëve.

Nga sot deri më 18 maj është zgjeruar orari i lëvizjes së qytetarëve nga 90 në 180 minuta në dy orare, para dhe pasdite. Kjo pasi numri i rasteve të reja me koronavirus në vend ka shënuar rënie, ndërsa janë regjistruar numër më i madh i të shëruarve. Pavarësisht zgjerimit të orarit të lëvizjeve, ka edhe shumë masa të tjera të cilat janë ende në fuqi.

Qytetarët sot në masë të madhe u grumbulluan kudo. Ashtu ndodhi edhe tek “Tregu i Gjelbër”, në Prishtinë. Përveç qytetarëve, as shitësit nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse, raporton KosovaPress.

Lutfi Shala, i cili është banor i Prishtinës, beson se nuk ka nevojë për doreza e as maska.

“Masat po i respektojnë bajagi mirë, rrallë që dalim pa pasur nevojë… Sot në treg thash të marrim diçka, por e kemi orarin… Nuk kam ngjit kurrë dhe nuk është aq rrezik se nuk po ju hi njerëzve në gojë, unë po shkoj rrugës time, ata të vetën”, shprehet Shala.

Burim Hyseni nga Prishtina, i cili shifrën e parafundit të numrit personal e ka 1, thotë se po respekton masat, megjithatë as ky i fundit nuk është i pajisur me masat mbrojtëse kundër korona virusit.

“Sa po mundemi po i respektojmë… Tash orarin e kam pasë me dalë… Nganjëherë po i harrojmë edhe ato… Nuk është vështirë, po i respektojmë sa po mundemi, nganjëherë njeriu i harron edhe ato”, deklaron Hyseni.

E, Rrahman Avdiu që është nga të rrallët kalimtarë i cili është i pajisur me doreza e maskë, thotë se masat duhet të vazhdojnë të respektohen.

“Nuk kam dalë që sa, dhe sot e kam pasur orarin me dal, dhe jam dalë… Nuk është vështirë hiç për shëndet”, thekson Avdiu.

Për këto grumbullime sot ka reaguar edheInstituti i Shëndetit Publik, ku ka bërë thirrje që të respektohet distanca, qytetarët të jenë të pajisur me maska e dorëza dhe të ruajnë shëndetin, sepse sipas tyre sjellja e tillë u kushton me jetë. E, po ashtu ka bërë thirrje që institucionet të mbajnë rendin, ndërsa të ketë edhe angazhim të shtuar të inspeksionit gjatë këtyre ditëve.

“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtën e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet ndër të tjera në reagimin e IKSHP-së.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shprehur shqetësimin e tij me daljen në numër të madh të njerëzve dhe qarkullimin e madh të veturave nëpër rrugët e Prishtinës. Ahmeti ka shkruar në Facebook se masat nuk janë larguar, prandaj ka kërkuar kujdes të shtuar që të mos shpërthejë valë e re e infeksionit.

“Qarkullim shumë i madh i kerreve dhe njerëzve në qytet. Përveç që masat nuk janë largu, do të ishte shumë keq në qoftë se këto ditë ndodh ndonjë shpërthim i ndonjë vale të re të infeksionit. Ju lutem të keni kujdes. Ju lutem mos dilni pa nevojë”, ka shkruar Ahmeti.

Të hënën pas më shumë se shtatë javëve janë hapur edhe dyqanet e vogla në bazë të hapësirave me metër katror, si dyqanet zejtare dhe butiqet.

Fluks më i madh i qytetarëve është vërejtur edhe në sheshet e kryeqytetit. Sheshet kryesore “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, nga 6 prilli janë bllokuar nga Policia e Kosovës. Edhe rruga që përshkon këto sheshe është bllokuar me shirita, duke u pamundësuar qytetarëve që të mblidhen dhe të ecin lirshëm.

Megjithatë, sot rrallë kush ka respektuar këto masa, meqë shumë prej tyre kaluan shiritat dhe kanë lëvizur pothuajse lirshëm.

Për këtë, KosovaPress ka provuar gjatë ditës së hënë të marrë një përgjigje nga drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, megjithatë ky i fundit ka qenë i pa qasshëm.

Ndryshe, në vend deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 851 persona me COVID-19, prej tyre 381 janë shëruar, ndërsa 22 kanë vdekur.