Prishtina pret Dritën, ndeshja që vendos për kampionin vjeshtor në Ipko Superligë

E publikuar: 02/12/2018 09:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Java e 17-të do të jetë java e fundit për këtë vit në futbollin kosovar.

Kësisoj lideri i deritashëm i Ipko Superligës, Prishtina do të kërkojë ta përfundojë stinorin vjeshtor si kampion.

Fitorja e Feronikelit e ka larguar Prishtinën nga pozita e parë në tabelë, pasi tani Nikli është e para me dy pikë më shumë.

Ekipi bardh e kaltër nga kryeqyteti do të ketë punë të vështirë pasi e pret kampionin në fuqi të Kosovës, Dritën.

Pas barazimit pa gola javën e kaluar ndaj Ferizajt, Prishtina synimin e vetëm në këtë takim e ka fitoren.

Në anën tjetër Drita do të futet në këtë ndeshje pas tri ndeshjeve pa fitore, ku pësoi dy disfata dhe barazoi në shtëpi me Niklin.

Selim Isufi do të jetë gjyqtari kryesor në këtë takim me ndihmësit Besnik Morina e Alban Ejupi, ndërsa Leutrim Mustafa do të jetë gjyqtar i katërt.

Kryendeshja e javës mes Prishtinë dhe Dritës zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 15:00.

Ndërkohë ditën e sotme do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në Mitrovicë.

Trepça ’89 e motivuar pas kalimit tutje në Kupën e Kosovës, do të jetë nikoqir i Ballkanit. /Telegrafi/