Prishtina lidere, mposht Vushtrrinë dhe shfrytëzon gabimin e Ballkanit

E publikuar: 13/06/2020 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prishtina nuk lejoi befasi dhe e mposhti me rezultat 2:0 Vushtrrinë për ta marrë, të paktën përkohësisht kreun e tabelës së Ipko Superligës së Kosovës, duke e shfrytëzuar kështu gabimin e së premtes të Ballkanit.

Prishtina vazhdoi me fitoren e tretë nga po kaq ndeshje të zhvilluar që nga rinisja e futbollit në Kosovë. Fitorja e sotshme kundër Vushtrrisë, me rezultat 2:0, ishte e mjaftueshme që Prishtina ta marrë pozitën e liderit në tabelë, shkaku i pikëve të humbura dje nga Ballkani, raporton Gazeta Express.

Prishtina – e cila po garon edhe për titullin e kampiones së Ipko Superligës së Kosovës, edhe për atë të Kupës së Kosovës – e fitoi këtë ndeshje falë dy golave të shënuara gjatë pjesës së parë të ndeshjes, mirëpo pati raste për të shënuar fitore edhe më të thellë.

Bardhekaltrit kaluan në epërsi qysh në mionutën e 11-të të ndeshjes, falë golit të shënuar nga Oto John me kokë, pas një harkimi nga Armend Thaqi. Sulmuesi John e shënoi edhe golin e qetësisë, në minutën e 36-të, këtë herë me asistin nga Januzi.

Tani Prishtina e mban kreun e tabelës, me 37 pikë të fituara, një më shumë se Ballkani e Drita, që ende s’e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje. Në anën tjetër, Vushtrria po shkon drejt rënies në Ligën e Parë në fund të këtij sezoni, pasi që ka grumbulluar vetëm 16 pikë dhe radhitet e 11-ta në ligë.