Presioni dhe kërcënimet e Serbisë për 10 muaj larguan 18 serbë nga FSK-ja

E publikuar: 06/11/2019 20:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presioni i vazhdueshëm i Serbisë mbi pjesëtarët e komunitetit serb detyroi që 18 prej tyre të largohen nga FSK-ja.

Edhe pse pa dëshirën e tyre, por me presion dhe kërcënime të autoriteteve të Serbisë, 18 pjesëtarë të komunitetit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë detyruar që të japin dorëheqje.

Autoritetet serbe në vazhdimësi kanë bërë presion dhe kërcënim ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në FSK, madje në muajin tetor të këtij viti, disa pjesëtarë të FSK-së ishin ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë e më pas ishin liruar.

E këtë veprim të Serbisë, zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani, atë kohë e cilësoi si jonormale dhe jonjerëzore.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ramadani kishte thënë se me këto veprime, Serbia po i dëmton serbët e Kosovës.

“Serbia vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, në një logjikë krejtësisht jonormale, jonjerëzore dhe jokonstruktive. Duke i ndalur me orë të tëra dhe liruar më pas, ky presion është krejtësisht pa kuptim. Nuk ka asnjë qëllim që mund të arrihet përmes këtyre veprimeve. E vetmja gjë që dëshmohet është që asgjë nuk ka ndryshuar, është i njëjti mentalitet. Serbia po dëmton serbët e Kosovës. Sepse, Kosovën nuk mund ta ndalë si të tillë, por vetëm maltreton serbët e këtushëm”, kishte shkruar Ramadani, i cili kishte bërë thirrje nga ndërkombëtarët që të reagojnë për veprimet e Serbisë.

Zyra për informim e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka bërë të ditur për lajmi.net, se që nga janari deri në muajin tetor FSK-në e kanë braktisur 18 pjesëtarë të komunitetit serb.

“Nga muaji janar 2019 e deri më tani ( tetor 2019 ), janë larguar gjithsejte 18 pjesëtarë të nacionalitetit serb. Prej tyre 16 pjesëtar janë demobilizuar me vetë dëshirë dhe dy janë larguar nga Bordi Disiplinor”, thuhet në përgjigjen e FSK-së dhënë për lajmi.net.

Sipas kësaj zyre, të gjithë ata që largohen nga FSK nuk mund të kthehen më.

“Ai pjesëtar që është larguar njëherë nga FSK-ja, nuk mund të kthehet më në FSK”, ka bërë të ditur FSK-ja.

Përderisa në Forcën e Sigurisë së Kosovës po ushtrohet presion nga Serbia mbi serbët e Kosovës, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur në Policinë e Kosovës, përkatësisht me pjesëtarët e komunitetit serb.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se që nga muaji janar e deri në muajin tetor, nuk ka pasur asnjë dorëheqje kolektive të komunitetit serb nga ky institucion.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se në Policinë e Kosovës gjatë këtij viti nuk ka pasur dorëheqje kolektive të zyrtareve të komunitetit serb”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Duhet theksuar se vetë disa pjesëtarë tashmë të larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës kanë deklaruar se janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit dhe kërcënimeve që iu kanë bërë autoritetet e Serbisë.