“Presion adekuat” Prishtinës për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe

E publikuar: 19/03/2018 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtoresha e Qendrës për Politikë të Jashtme në Beograd ka theksuar se Asociacioni i Komunave serbe është çelës i procesit negociues Beograd – Prishtinë dhe pret veprimin e bashkësisë ndërkombëtare që të ndodhë realizimi i saj, transmeton Koha.net.

Aleksandra Joksimoviq ka deklaruar se në periudhën e ardhshme pret nga aktorët ndërkombëtarë që kanë ndikim në Prishtinë “një presion adekuat” që të realizohet pjesa e Marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave serbe.

“Pres që në periudhën e ardhshme, bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht aktorët që kanë ndikim të qartë në palën prishtinase, me presion adekuat që të realizohet kjo pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, më e rëndësishmja për Serbinë”, ka thënë Joksimoviq për rts.

Sipas fjalëve të saj, bisedimet, pa asnjë dilemë, janë të vështira, porse ngadalë po shkojnë në drejtimin pozitiv.

“Është e qartë se në periudhën e ardhshme do të kemi intensifikim të dialogut dhe se të gjithë aktorët do të përpiqen të bëjnë atë lloj ndikimi që mundëson depërtim më të madh në procesin negociues që do të rezultonte me një kornizë kohore adekuate dhe me nënshkrimin e marrëveshjes ligjore të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, ka tërhequr vërejtjen Joksimoviq.

Ajo ka vlerësuar se është evidente që rajon i gjendet në një pikë kthese, se proceset po përshpejtohen dhe se ato procese janë të lidhur me negociatat ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

“Pa vullnet politik është e pamundur zgjidhja finale, e cila tash paralajmërohet si marrëveshje e detyrueshme për normalizim. Aktualisht kemi një situatë në të cilën Vuçiq është shumë i fuqishëm, për dallim nga Thaçi i cila ka probleme të ndryshme në Kosovë. Pavarësisht kësaj, pres që në periudhën para nesh të fillojnë së paraqituri disa lloje skenarësh”, ka thënë Joksimoviq.