Presidenti zbulon se në Kosovë ka gazetarë të mirë

E publikuar: 03/05/2018 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zgjedhë që 3 Majin – ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ta nxjerrë një konkludim që në Kosovë ka gazetarë të mirë. Madje këtë e ka quajtur si fatmirësi për vendin.

“Gazetarët sot po e shënojnë në mënyra të ndryshme 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Kosova fatmirësisht ka shumë gazetarë të mirë, me integritet të lartë dhe profesionistë të mirëfilltë, që në rrethana shumë të vështira e kanë mbajtur gjallë raportimin e drejtë dhe të paanshëm për qytetarët tanë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Megjithatë, ai një pjesë të meritës për liri e pavarësi ua ka atribuuar gazetarëve për raportimet e tyre në rrethana të vështira.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë meritë edhe e shumë brezave të gazetarëve të Kosovës, që me guxim e përkushtim e raportuan të vërtetën për çdo proces nëpër të cilin kaloi vendi ynë. Prandaj edhe në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ftoj të gjithë gazetarët që të vazhdojnë me punën e tyre profesionale, hulumtuese dhe të japin kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe të shtetit tonë”, ka shtuar ai./Insajderi.com