Presidenti vazhdon ta zvarrisë funksionalizimin e KQZ-së

E publikuar: 07/01/2019 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në qershorin e 2017-s Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme, derisa brenda 60 ditësh pas certifikimit të rezultateve do të duhej të emërohej edhe përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

As pas një viti e gjysmë, ky institucion ende nuk është funksional, raporton KTV.

Kjo, sepse presidenti i vendit Hashim Thaçi kërkoi interpretim nga Gjykata Kushtetuese, meqenëse grupe të reja parlamentare u krijuan pas funksionalizimit të Kuvendit.

Por, kur Kushtetuesja e vendosi kërkesën për interpretim si të papranueshme për ta, Presidenti kërkoi nga secili grup parlamentar aktual që të dërgojë nga një emër e më pas të njëjtit të emërohen si anëtarë të KQZ-së.

Ndonëse dokumentacionin e plotë të të nominuarve Presidenti e kishte në zyrë, ai më 31 dhjetor sërish ua kërkoi grupeve parlamentare atë.

Nga opozita, kjo po shihet si e qëllimshme nga ana e Thaçit dhe papërgjegjësi totale e tij.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se partia e tij është kundër që presidenti ta emërojë vetëm nga një anëtar e jo nga dy, ashtu siç është e paraparë edhe me ligj.

NISMA Socialdemokratike tashmë ka dërguar emrin te presidenti dhe bëjnë thirrje që ky institucion të jetë funksional sa më parë.

parti, për anëtar të KQZ-së ka nominuar Eshref Vishin, ka konfirmuar për KTV-në Skënder Reçica, anëtar i Kryesisë së NISMA-s.

Kështu, Presidenti me vendimin e tij ka barazuar të gjitha grupet parlamentare pa marrë parasysh sa vende kanë ato në Kuvend.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar dy emra për anëtarë të rinj të KQZ-së ,sepse janë kundër idesë së presidentit që të jenë të përfaqësuar vetëm me një anëtar.

Nëse presidenti vendos kështu, LDK-ja ka paralajmëruar se do ta dërgojë vendimin e Thaçit në Kushtetuese.