Presidenti vajton që s’janë dënuar krimet, por asnjëherë se ka kushtëzuar dialogun me Serbinë

E publikuar: 01/07/2019 11:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, ka vendosur që të vajtojë fatin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, derisa ka folur në konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”, megjithatë, prijësi i dialogut, në këto vite bisedime Kosovë-Serbi, nuk e ka kushtëzuar asnjëherë shtetin serb për këtë temë, raporton Gazeta Express.

Para të pranishmëve, i pari i shtetit ka deklaruar se BE dështoi të dënojë kriminelët sebë që kanë kryer krime në Kosovë, derisa thotë se po bëhet amnisti e heshtur e krimeve nga ndërkombëtarët ndaj kriminelëve që sot gjenden në institucionet më të larta të Serbisë.

“Ka ndodhur një amnisti e heshtur e Bashkësisë Ndërkombëtare për krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Pse po ndodhë kjo amnisti e heshtur nga faktori ndërkombëtar. Për 10 vite ishte UNMIK-u këtu, asnjë dënim i atyre që bën krimet, Tribunali i Hagës as nuk ka bërë përpjekje, EULEX-i ka bërë përpjekje nuk ka pasur sukses. Adresa për të kërkuar drejtësi është e qartë, është Beogradi zyrtar. Ata që kanë udhëhequr këtë dhunë sistematike janë në parlamentin e Serbisë, në institucionet më të larta të Serbisë dhe heshtet nga bashkësia ndërkombëtare apo ndodhë një selektim në baza të drejtësisë ose është një heshtje amnistuese:, tha ai.

Presidenti Thaci tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës duhet të inkurajohen nga shoqëria e Kosovës që të dalin dhe të tregojnë të kaluarën e tyre.

“Duhet të kërkojmë më shumë përkrahje prej tërë shoqërisë që ta lënë pasë të kaluarën e hidhur dhe të ndërtojmë të ardhme më të mirë. Të mbijetuarat kanë më shumë nevojë për përkrahje institucionale dhe për më shumë mirëkuptim brenda familjes, komuniteti dhe shoqërisë. Fajësia e kësaj padrejtësie pas 20 vjetësh vazhdon të peshojë mbi vetë viktimat e dhunës seksuale. Shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohet për të mbijetuarat e dhunës seksuale”, shtoi presidenti, duke folur tutje se lufta për të mbijetuarit e dhuëns seksuale ende nuk ka përfunduar, ndërsa kërkoi angazhimin e të gjithëve për zbardhjen e të gjitha rasteve.

“Lufta ka mbaruar në vitin 1999 por për viktimat ë dhunës seksuale ende nuk ka përfudnuar. Të mbijetuarat vazhdojnë të vuajnë në heshtje, kjo vuajtje nuk duhet të vazhdojë prandaj së bashku duhet të inkurajojmë të gjitha të mbijetuarat që të pranojnë të ballafaqohen me të kaluarën e hidhur. Duhet të kërkojmë drejtësi për mijëra viktimat e dhunë seksuale. Krimet e luftës nuk vjetrohen por duke mos folur, duke mos i raportuar ato amnistohen prandaj asnjëherë nuk është vonë për t’i raportuar rastet sepse vetëm me zbatim të ligjit mund të arrihet drejtësi për viktimat”, tha ai.