Thaçi: Idenë e korrigjimit të kufijve e kisha unë, SHBA nuk ka vënë “vija të kuqe”

E publikuar: 08/05/2019 22:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar edhe një herë atë që ndodhi në takimin e Berlinit.

Sipas tij në Gjermani nuk u prek fare çështja e kufijve, njofton Klan Kosova.

”Aty nuk ka pasur as varrosje dhe as lindje të ndonjë ideje apo prezantimi të ndonjë alternative. Takimi i Berlinit ka qenë takim krejt i zakonshëm, rutinë, i dëgjimit të deklaratave të gjithë pushtetarëve që kanë qenë aty nga Ballkani Perëndimor”.

Presidenti i Kosovës këmbëngul se është ai ideator i ndryshimit të kufijve.

”Unë jam ideator i angazhimit për korrigjimin e padrejtësive përmes përfshirjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin e Republikës së Kosovës në territorin aktual të Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Kosovës, duke mbetur Kosova multietnike”.

”Kjo është një e drejtë historike dhe unë do të insistoj edhe nesër në samit edhe në çdo samit që do të mbahet, pasi mund të ndodhë që në 10-20 vite nuk do të ketë fare më shqiptarë në atë hapësirë, ndërsa theksoj se qëndrimi i SHBA-së është shumë i qartë: nuk kanë vija të kuqe”.

”Mesazhi i SHBA-së është i përmbledhur në dy letrat e dërguara nga Presidenti Trump për mua dhe Presidentin e Serbisë, Vuçiç. Aty është korniza e qartë e SHBA-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi: nuk ka vija të kuqe”, ka thënë Thaçi për Top Channel.

Deklaratën e fortë të Aleksandër Vuçiç se edhe nëse e vrisnin nuk do ta njihte Kosovën, ai e sheh për konsum të brendshëm.

”Mendoj se është një deklaratë për konsum të brendshëm, populiste. Vuçiç e di që njohjen e Kosovës e ka kusht për të ardhmen evropiane. Në emër të bashkangjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, mendoj se si shpërblim Serbia do ta kishte të ardhmen evropiane më të afërt”, njofton Klan Kosova.