Presidenti i Shoqatës së Avokatëve: Abuzime seksuale ndaj të arrestuarve në Turqi

E publikuar: 21/10/2016 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pjesëtarë të Lëvizjes Hizmet, të arrestuar menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut, përveç torturave dhe trajtimit çnjerëzor, janë abuzuar dhe seksualisht në ambientet e paraburgimit. Një fakt i tillë është pohuar nga Presidenti i Shoqatës së Avokatëve Bashkëkohorë të Turqisë, Selçuk Kozagaçlë, i cili në fjalën e tij në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Avokatëve të Ankarasë në Turqi, tha se anëtarë të Lëvizjes Gylen janë abuzuar seksualisht dhe për rrjedhojë shumë prej tyre kanë qenë të detyruar të kryejnë ndërhyrje kirurgjike në zorrën e trashë. Sipas tij, ka fakte të pamohueshme se pjesëtarë të Lëvizjes Gylen, të arrestuar pas akuzave të autoriteteve turke për përfshirje në grushtin e shtetit të 15 korrikut, akuza të cilat janë mohuar kategorikisht nga vetë lëvizja dhe kleriku mysliman, Fethullah Gylen.

Kozagaçllë tha se të arrestuarit janë përballur me tortura çnjerëzore dhe abuzime seksuale në ambientet e paraburgimit. “Në mesin e personave, të akuzuar për përfshirje në grushtin e shtetit dhe si pjesëtarë të Lëvizjes Gylen, janë torturuar dhe ndaj tyre është abuzuar seksualisht në ambientet e paraburgimit në drejtoritë e policisë dhe burgjeve dhe kanë qenë të detyruar të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e zorrës së trashë”, tha Kozagçllë.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i “Human Rights Watch” për Turqinë, Ozturk Turkdogan, në një intervistë për të përditshmen “Cumhuriyet”, tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit do të ketë një faturë shumë të madhe për Turqinë.

I pyetur nëse shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishte një domosdoshmëri, Turkdogan tha se ajo është përdurur kundër vetë qytetarëve turq. Sipas tij, ndaj personave që akuzohen për pjesëmarrje dhe organizim të grushtit të shtetit të 15 korrikut është ushtruar dhunë çnjerëzore dhe pamjet e shfaqura në televizionet kombëtare janë dëshmi e qartë që ndaj tyre është abuzuar dhe është ushtruar dhunë çnjerëzore.

“Personat e arrestuar janë prangosur me duar pas shpine, janë zhveshur dhe janë torturuar për orë të tëra, nuk u është dhënë ushqim dhe ujë për ditë të tëra dhe shenjat e dukshme të dhunës, përdorimi i sallave sportive si ambiente paraburgimi dhe në kushte çnjerëzore, të gjitha janë abuzime dhe trajtime çnjerëzore. Të gjitha këto janë transmetuar në televizionet kombëtare. Dhe këto pamje janë vënë në dispozicion të mediave nga vetë qeveria dhe institucionet në varësi të saj. Në kushtet normale prokuroria duhej të kishte nisur menjëherë hetimet ndaj zyrtarëve apo personave përgjegjës për torturat çnjerëzore të përdorura ndaj të ndaluarve për ngjarjet e 15 korrikut, por fatkeqësisht prokurorët deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë”, tha Turkdogan.