Presidenti që vjen nga kultura e lirisë

E publikuar: 27/04/2016 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi, tashmë president, me një integritet të lart si lider, udhëhiqet nga ëndrra përtej një posti, sado i lartë që të jetë. Dy ëndrrat e tij i ka realizuar, atë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në radhë është ëndrra e tretë: integrimi në BE, NATO dhe OKB
Kultura e lirisë dhe doktrina e robërisë

Hashim Thaçi, president i Kosovës që nga 7 prilli 2016, pas një karriere të ngjeshur politike, është njeriu i parë i shtetit të Kosovës. Bazamenti dhe prejardhja e tij themelore politike është lufta çlirimtare e Kosovës. Për dallim nga politikanët e Ballkanit, që në skenë qëndruan mbi programe e doktrina të ndryshme, Hashim Thaçi i përket brezit të politikanëve që u brumosën dhe u kultivuan në vlerat e krijimit të lirisë për vendin e tyre. Në kuadër të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës, ai është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko ushtarake më të suksesshme shqiptare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gueriles më të suksesshme të shekullit njëzet (Tim Judah).

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u zhvillua brenda territorit të Kosovës, në mbrojtje të popullatës autoktone, kundër një shteti me polici, ushtri dhe administratë robëruese për një shekull, kundër sundimit të Beogradit. Prandaj, shlirë mund të thuhet se Hashim Thaçi është politikan dhe burrështetas që vjen nga kultura e lirisë. Në Ballkan, e sidomos në shtetin që sundoi për një shekull Kosovën, në Serbi u ngritën figura politike, ushtarake, akademike që bazë themelore kishin shkollën për shfarosjen, shpërnguljen, vrasjen, burgosjen, dëbimin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe ndaj popujve tjerë të ish Jugosllavisë, ku në këtë linjë u bënë bashkë edhe institucione si akademia, kisha, ushtria, policia etj.

Pra, kemi dy modele, dy profile rrënjësisht të kundërta. Kultura e lirisë përballë doktrinës së robërisë (pushtimit të tjetrit), sepse kjo e fundit nuk meriton të tipologjizohet me fjalën “kulturë”.

Më poshtë do të skicohen disa nga pikat më kulmore të biografisë politike të Presidentit Hashim Thaçi, në kohën kur ziejnë jo pak qëndrime kundër tij, njollosje dhe etiketime të pabaza, qoftë në shtypin elektronik vendor, qoftë në Serbi, qoftë edhe në disa media ndërkombëtare. Personalisht, konsideroj se janë të padrejta. Në planin ndërkombëtar këto sulme kanë motive dhe objektiva të ndryshme, ndërkaq, në rrafshin e brendshëm shoqërohen dhe bazohen në urrejtje patologjike, raciste, kundërnjerëzore, me elemente xhelozie dhe inati personal kundër tij.

Koha e rezistencës

1.

Kur u varros studenti Sami Ramë Babaj nga Llausha e Skenderajt më 30 maj 1992, i vrarë nga policia serbe, Hashim Thaçi si prorektor student mbajti një fjalim frymëzues dhe qortues njëkohësisht. Ai fliste në emër të rinisë studentore, dhe u bënte apel “subjekteve politike, shoqatave, sindikatave që t’i hapin sytë dhe të punojmë më shumë për çlirim, se përndryshe të gjithë do të përgjigjemi para historisë”. Ai, në fund të fjalimit do t’i përmblidhte tri modele të rezistencës, që përfaqësohen me tri simbole: grushti, dy gishtërinjtë dhe një gisht, ai këmbëzës së pushkës: “Përndryshe populli di edhe vetë të organizohet siç diti çdo herë, pas Luftës së Dytë Botërore të vazhdojë me grushtin e bashkimit lart, të vazhdojë me dy gishtërinjtë dhe di ta përfundojë me një gisht si rrugë dhe mundësi e vetme për komunikim dhe çlirim të Kosovës nga Serbia.”

2.

Në fshatin Kollar të Kërçovë, 24 mars 1993, mbahet një Mbledhje konsultative e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPK-së së ardhshme). Në këtë mbledhje ishin të pranishëm veprimtarë me një të kaluar të pasur politike klandestine brenda kësaj organizate. Hashim Thaçi (25 vjeç) në këtë mbledhje do të tregojë qartë se kjo organizatë kishte arritur maksimumin e aktivitetit politik joproduktiv. Përmes një diskutimi kërkon ndërrim të kursit. “Qëndrimi im ka qenë i qartë dhe shumë i prerë: Ose duhet vazhduar luftën e armatosur, ose LPRK-ja duhet të shpërbëhet.” Pas kësaj fjale, dy veprimtarë seriozë të LPRK-së do t’i thonë Thaçit: “Ke të drejtë, nëse mund të qëndrosh, vazhdo!”

Kjo kërkesë e vendosur për të shënuar kthesë nuk lejonte rrugë të mesit. “Shumë delegatë përkrahën konceptin tim, por pati edhe të tillë që u zemëruan me qëndrime të tilla. Nuk e çaja kokën fort, sepse organizata kishte nevojë për veprimtarë që të ishin të gatshëm për veprime konkrete, e jo për njerëz që thirreshin në organizimin e rezistencës së armatosur, ndërsa i mbytnin që në embrion idetë dhe iniciativat për veprime kundër Serbisë. Ky ishte momenti i kthesës për organizimin e LPRK-së, vazhdimit dhe zgjerimit të aksioneve në Kosovë, por edhe i rritjes së përgjegjësive shtesë për mua.”, kujton Thaçi momentin kthesë, nga i cili nis formimi i sektorit ë veçantë, i bërthamës, i gjenezës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

3.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998 -1999) është kapitull i njohur i historisë së re të Kosovës. Në një intervistë ambasadori Wolfgang Petrisch në pyetjen se pse pikërisht Hashim Thaçi u zgjodh si person i duhur për të bashkëpunuar me të gjatë luftës, ai përgjigjet se pas kontakteve me përfaqësuesit politikë të UÇK-së, e sidomos me rastin e këmbimit të tetë ushtarëve serbë të zënë rob në ZO të Shalës, kemi parë se atë që e thotë Thaçi ajo realizohet.

Besueshmëria është një element i rëndësishëm që tregon për shkallën e lartë të integritetit tek një personalitet. Kjo cilësi e Hashim Thaçit, e shfaqur së bashku me vendosmërinë maksimale në Konferencën e Rambujesë, është pranuar nga të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës, qofshin vendorët, qofshin ndërkombëtarët. Si rezultat i qëndrimit të drejtë politik të palës shqiptare, Konferenca e Rambujesë dhe nënshkrimi i marrëveshjes në Paris ka hapur rrugën e fillimit të bombardimeve të caqeve ushtarake dhe policore serbe nga aleanca më e fuqishme e globit, NATO.

Koha e çlirimit, kostumi blu i mbyllët

Tregimi i sekretarit personal të Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci për “armët” personale të Hashim Thaçit, dy bombat e dorës, në aeroportin e Vjenës më 1999, për të mos rënë i gjallë në duar të sigurimit serbë, si dhe ai për dorëzimin e tyre me të arritur në Paris, për një gazetar të gazetës “The Times” është simbolikisht fillimi i demilitarizimt të UÇK-së, gjegjësisht të Thaçit dhe transformimit të tij në lider të mirëfilltë politik. Që në Rambuje sekretarja amerikane Albriht i kishte sugjeruar Ibrahim Rugovës që të t’i pranojë si partner përfaqësuesit e krahut të luftës duke i thënë se më nuk ishte si më parë: “Tani ke një opozitë” (A. M. Pa Protokoll).

Procesi i transformimit të UÇK-së në Trupë Mbrojtëse të Kosovës kishte qenë një zhvillim politik dramatik. Këtë ngjarje e shënoi edhe gazetari i revistës “Time” Rob Asher, tetor 1999. “Thaçi kërkoi që 600 pjesëtarëve të forcës së re t’u lejohet të mbartin armë, duke e trefishuar numrin e marrëveshjes së arritur… Thaçi, 31-vjeçar, ka ndryshuar me të shpejtë gjatë rrjedhës së konflikt të Kosovë nga një luftëtar i gjallë i papërvojë në artin e politikës në një negociator jashtëzakonisht luftarak: “Ai u hodh në sulm si një dem”, thotë një zyrtar perëndimor i përfshirë në negociata. “Ishte e qartë se ne do të pësonim debakël”, tha ai. Një shtyrje e afatit u arrit, dhe shefi ushtarak i NATO-s, gjenerali Ueslli Kllark, fluturoi për në Kosovë dhe mblodhi të gjithë komandantët kryesorë të UÇK-së.” (Rilindja, tetor 1999)

Më 10 tetor 1999, themelohet Partia e Progresit Demokratik të Kosovës, e cila më 22 maj 2000 mban konventën parë dhe merr emrin aktual Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhjet e para lokale të vitit 2000 treguan se shoqëria kosovare është e dalë nga lufta, nga një robëri e gjatë, nga një prapambeturi e kushtëzuar prej traumave historike. Rezultatet e zgjedhjeve krijuan një pasqyrë të caktuar. PDK doli forcë e dytë politike. Kaosi dhe anarkia e pasluftës iu atribuuan njerëzve të dalë nga lufta dhe kështu PDK pagoi një tagër të caktuar.

Gazetari Mattias Rub i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” të 15 janar 2002 shkruan një shkrim me titull “Thaçi është një faktor pushteti”, ku ka të njëjtën frekuencë me mendimin e Albright në Rambuje: “Thaçi që i përket burrave të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare dhe që për realizimin e pretendimeve të tij udhëheqëse nuk veproi me naze, ishte zgjedhur në bisedimet ndërkombëtare paqësore të shkurtit të 1999, në kështjellën e Rambouillet, pranë Parisit, për udhëheqës të delegacionit 17-anëtarësh të shqiptarëve të Kosovës. Para së gjithash, sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Albright, i besoi shpejt atij dhe investoi në të si njeriun e së ardhmes – një „poshtërim“ ky nga i cili Rugova deri më tani duhet të mos ta ketë marrë veten… Pas fundit të luftës ajrore të NATO-s dhe marshimit të trupave ndërkombëtare paqësore në qershor 1999, ai e zhveshi shpejt – fizikisht dhe intelektualisht – uniformën dhe e këmbeu atë kundrejt kostumit të parapëlqyer blu të mbylltë.”

Në periudhën 2002 -2004 PDK-ja ishte pjesë e institucioneve me bazë të gjerë proporcionale, në nivel qendror, ndërkaq në opozitë në pushtetin lokal. Prej viti 2004 deri më 17 nëntor 2007 ishte në opozitë të pastër. Në këtë periudhë, e sidomos në atë të viteve 2006 – 2007 në saje të vizionit politik të kryetarit Hashim Thaçi dhe projekteve të premtuara dhe të ekspozuara me një intensitet bindës para elektoratit, u përpunua ideja dhe mekanizmi i fitores. PDK-ja doli fituese e zgjedhjeve lokale dhe qendrore, duke fituar të drejtën që të themelojë qeverinë dhe të drejtojë edhe Kuvendin e Kosovës.

Koha e institucionalizimit, opozitë – pozitë

Ndër të arriturat më të mëdha politike të liderit të PDK-së Hashim Thaçi është fitorja e zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007. Kjo fitore i hapi rrugë që si lideri politik më i votuar në vend të drejtojë qeverinë e parë dhe të dytë si kryeministër i fuqishëm. Derisa kryeministri i parë, Bajram Rexhepi e realizoi mandatin e plotë në saje të formulës së marrëveshjes politike të tri partive themelore parlamentare shqiptare (LDK, PDK, AAK), qeveria 2004-2007 pati kryeministra të brishtë.

Në periudhën e funksionimit të demokracisë në Kosovë, me aq traditë dhe kulturë sa kishte, Hashim Thaçi që në fillim hyri në politikë si një lojtar maratonist, i përgatitur për shtigje afatgjata. Ai që në tetor e vitit 2000 instaloi kulturën e njohjes së rezultatit zgjedhor. Po ashtu, ai u tërhoq një hap prapa, për t’i lënë udhë z. Rexhepi për t’u bërë kryeministër. Me krijimi e kabinetit hije, ai arriti të zhveshë pushtetin përmes paraqitjeve mediale. Në periudhën e të qenit në opozitë përdori vetëm instrumentet demokratike kundër qeverisjes së dështuar. Për të treguar se Kosova ka nevojë të ketë konsensus për çështjet e rëndësisë nacionale, ai merr pjesë aktive në bisedimet e Vjenës lidhur me statusin politik të Kosovës, bisedime që prodhuan dokumentin politik të presidentit Ahtisaari, në bazë të cilit u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Si kryeministër i pavarësisë, Hashim Thaçi është njeriu më meritor i krijimit të identitetit shtetëror të Kosovës. I modernizimit të infrastrukturës rrugore (autostradat, shkollat, heqja e baltës nga vendbanimet) i ngritjes së mirëqenies sociale, përmes rritjes së rrogave për të gjitha kategoritë shoqërore, i mbrojtjes ligjore të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve dhe veteranëve, i shpagimit material për ish të burgosurit, si veprim human, sepse ata janë mbajtur në burg nga administrata e Beogradit. Në periudhën e mandatit të tij si kryeministër Kosova themeloi ministrinë e jashtme, atë të FSK-së, ndërsa u njoh nga 111 vende të botës si dhe u bë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare. Në mandatin e u krijuan kushtet që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahen në tërë territorin e Kosovës.

Një vlerë e veçantë institucionale e liderit Hashim Thaçi është kultura e krijimit të koalicioneve me subjektet tjera politike. Krijimi i koalicionit me “rivalin” kryesor, siç po thuhet, me LDK-në është dëshmuar si hap i pjekurisë politike: për interes të stabilitetit institucional të Kosovës, për hir unitetit qytetar, të krijimit të klimës së mirëkuptimit dhe tejkalimit të animoziteteve dhe paragjykimeve negative për njëri – tjetrin.

Një e arritur tjetër që tregon për vizion, pjekuri dhe perspektivë afatgjate të shoqërisë sonë dhe të shtetit tonë të ri është edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori Wolfgang Petrisch (20 janar 2015, Vjenë) arritjen e marrëveshjes së 19 prillit 2013 e vlerëson si kontribut në historinë e re të Evropës. Marrëveshje që përçon mesazhin e paqes, pajtimit dhe krijimit të miqësisë ndërmjet popujve me histori lufte e urrejtje qindravjeçare.

Koha e Presidentit – identiteti shtetëror

Zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës është një arritur normale për një figure politike, e cila vjen nga një e kaluar dhe e tashme e pasur historike. Hashim Thaçi është njeriu që ka pasur ndikim real në të gjitha proceset politike të Kosovës prej vitit 1998 e deri tani. Afër dy dekada (18 vjet) ai ka qenë njeri që ka bartur barrën më të madhe të historisë moderne të Kosovës. Pos barrës, ai i ka dhënë trajtë identitetit shtetëror të Kosovës. Ky identitet është institucionalizim i ekzistencës së Kosovës. Kosova ka qenësinë shtetërore, që është shkalla më e lartë e organizimit shoqëror. Kjo qenësi njihet nga shtetet e botës perëndimore, nga bota me kualitetet më të larta dhe më e përparuara në shkallë botërore, si kulturë, emancipim, liri dhe demokraci.

Pse, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit, përpos tjerash pa dyshim, do të luaj rolin bashkues qytetar?

Dëshmia më e mirë është fakti që ai hiqi dorë nga mekanizmi më i fuqishëm politik aktualisht në Kosovë, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila në çdo sondazh del subjekti i parë politik. Nga partia e cila ka prodhuar politikisht dy kryeministra (B. Rexhepi, Hashim Thaçi) me tri mandate dhe dy kryetarë kuvendi (Jakup Krasniqi dy mandate dhe Kadri Veseli, kryetar aktual). Pra nga partia që jep kryministra, kryeparlamentarë dhe tashmë edhe president.

Vizioni i paraqitur në ditën e inaugurimit president, tregon më së miri se Hashim Thaçi do të punojë në forcimin e identitetit shtetëror të Kosovës. Kosova ka tashmë ngjyrat e saj shtetërore, ka himnin, flamurin, ka institucionet. Respekti për to është respekt për vetveten. Kosova është shteti ynë. Kosova është vetëdija, ndërgjegjja jonë. Pranë dhe prapa këtij momenti duhet të qëndrojë vetëdija jonë shtetformuese, vetëdija e forcimit të identitetit shtetëror të Kosovës. Përballë kësaj vetëdije bie dhe shpartallohet mendësia jonë fisnore, krahinore, rajonale, e mëhallës dhe e “familjes së madhe” e patriarkalizmit primitiv. Para kësaj vetëdije shpartallohet mentaliteti se shteti duhet t’i dorëzohet odës, shtëpisë dhe familjeve të mëdha. Përkundrazi Kosova do të mbrohet dhe përfaqësohet nga instrumentet shtetërore.

Prandaj, shprehje e edukatës qytetare e kombëtare është kultivimi i dashurisë dhe ngjallja e emocioneve të krenarisë kur valon flamuri i Kosovës në ambasada jashtë vendit, në paraqitjet ndërkombëtare, kur ekzekutohen himni në manifestime sepse ai flamur dhe ai himni, është identiteti ynë, përmes të cilit na njeh bota. Identiteti shtetëror.

Deklarata Kushtetuese, një tekst me një ngarkesë të madhe shpjeguese, ka një fjali të artë, fillimin e paragrafit ku thuhet: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.” Përmes kësaj fjalie kalohet nga koha para pavarësi në kohën e pavarësisë. Ky është ai moment hyjnor i përjetësisë së shtetit të Kosovës.

Këtë moment më së miri e ndjen z. Hashim Thaçi. Tashmë president. Me një integritet të lart si lider, ai udhëhiqet nga ëndrra përtej një posti, sado i lartë që të jetë. Dy ëndrrat e tij i ka realizuar, atë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në radhë është ëndrra e tretë: integrimi në BE, NATO dhe OKB.