Presidenti në Forumin e Frankofonisë: Kosova me mundësi të shumta për investitorët e huaj

E publikuar: 26/10/2018 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Forumin e Frankofonisë, i cili në Prishtinë ka mbledhur shumë përfaqësues të bizneseve ndërkombëtare nga hapësira frankofone.
Presidenti Thaçi në këtë forum ka thënë se Kosova është shtet i ri, me mundësi të mëdha dhe legjislacion të standardeve më të larta evropiane, ku ka shumë mundësi investimi për investitorët ndërkombëtarë, thuhet në njoftimin presidencial, shkruan Lajmi.net.

“Ky takim sot është një mundësi e re, e pashfrytëzuar deri më tani për investitorët dhe afaristët e huaj. Këtu në sallë sot shoh njerëz të suksesit, njerëz të punës, njerëz që kanë pasur sukses edhe në vende tjera të rajonit, por edhe më gjerë, që janë shembull i suksesit në botë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas kreut të shtetit, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do u dalin në ndihmë investitorëve ndërkombëtarë, derisa forumi është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet maksimalisht.

“Kjo mundësi do të jetë një shtytje e madhe edhe për afaristët e tjerë që të vijnë në Republikën e Kosovës, t’i shikojnë të gjitha mundësitë e investimeve. Disa prej jush veç keni filluar dhe keni pasur sukses, disa jeni në procese të këtyre sukseseve”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar Francën dhe presidentin Macron për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.