Presidenti i uron qytetarët për 1 Majin, kërkon të drejta më shumë për punëtorët

E publikuar: 01/05/2018 11:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka uruar sot kosovarët për 1 Majin, ditën e punëtorëve. Thotë se çdo punëtor në Kosovë, sot vlerësohet më shumë se në të kaluarën. Por harron se pikërisht në Kosovë punëtorët nuk janë të sigurt në vendin e tyre të punë. Madje të drejtet e tyre shkelen çdo ditë.
“Çdo punëtor në Kosovë, sot vlerësohet më shumë se në të kaluarën. I kemi rritur disa herë pagat dhe tash ato janë pothuajse në nivel të barabartë me vendet e rajonit. Kemi hartuar ligje moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por kërkohet një zbatim dhe monitorim më i mirë i tyre”, shkruan Presidenti.

Sipas tij, varësisht prej vendeve dhe kulturave të tyre, ka pikëpamje të ndryshme për 1 Majin, por kjo ditë gjithmonë është festuar te ne.

“Duke ua uruar të gjithëve festën, unë ndaj shqetësimin me të gjithë punëtorët, si të sektorit publik, ashtu edhe të atij privat, si dhe u bashkohem kërkesave të tyre për kushte më të mira të punës dhe të drejta më shumë për punëtorët. Si shtet i ri duhet të kemi një përkujdesje më dinjitoze për të gjitha kategoritë shoqërore, ku shtylla më e fortë e ekonomisë dhe Republikës sonë padyshim se janë të gjithë punëtorët”, thotë ai. /Lajmi.net/