Presidenti i Racing: Javën e ardhshme finalizohet shitja e Martinezit

E publikuar: 09/02/2018 09:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Racing Club, Victor Blanco ka konfirmuar se javën e ardhshme do të finalizojnë shitjen e Lautaro Martinez në Inter, teksa ka theksuar të gjithë janë  shumë të lumtur me këtë marrëveshje.

Nerazzurët janë në negociata të avancuara për sulmuesin 20-vjeçar, kryesisht për shkak se ai ka hedhur poshtë të gjitha interesimet tjera nga Atletico Madridi dhe Real Madridi.

Marrëveshja në parim thuhet se është arritur tashmë dhe palët kanë mbetur vetëm ta finalizojnë atë duke vënë të zezën mbi të bardhë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vet presidenti i klubit argjentinas, i cili ka deklaruar se javën e ardhshme gjithçka do të finalizohet.

Martinez duke festuar një nga golat e shumtë të shënuar me Racing Club (Getty Images)

“Javën e ardhshme do të përpiqemi të finalizojmë detajet e mbetura dhe të përfundojmë shitjen e Lautaro Martinez”, ka thënë fillimisht Presidenti Blanco për La Oral Deportiva dhe Radio La Red.

“Ne ende nuk e kemi përcaktuar çmimin e tij fiks: Oferta që kemi sot është 22 milionë dollarë (17.9 milionë euro), që është ajo që kemi njoftuar me Valencian, pasi ata e kanë prioritet. Ideja është mbyllja e shitjes pas sezonit të karnavaleve”, përfundoi Blanco.

Është raportuar se Interi do ta mund këtë ofertë dhe do të paguajë 22 milionë euro (duke përfshirë tatimet dhe shpërblimet) plus një 10 për qind të çdo shitjeje të ardhshme.

Kjo ofertë thuhet se është pranuar nga drejtuesit e klubit pasi rol kyç kanë luajtur edhe ish-yjet argjentinase, Javier Zanetti dhe Diego Milito. /Telegrafi/