Presidenti i FIGC: Të gjithë fajin e eliminimit e ka Ventura

E publikuar: 18/11/2017 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit [FIGC], Carlo Tavecchio fajësoi trajnerin e larguar, Giampiero Ventura, për “vendime krejtësisht të gabuara” në ndeshjet për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Ventura u shkarkua pas humbjes totale me rezultat 1-0 ndaj Suedisë, gjë që i pa Azzurët të humbasin kualifikimin në një Kampionat Botëror për herë të parë që nga viti 1958.

Presidenti i FIGC-së, Tavecchio ka refuzuar të japë dorëheqjen, por u ul për një intervistë me Le Iene, duke folur rreth dështimit të kombëtares italiane.

“Debakli ishte teknik. Ai mori vendime krejtësisht të gabuara në skuadër. Ishte faji i trajnerit [Ventura]”, ka thënë fillimisht Tavecchio për Le Iene.

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio

“E di. Unë nuk kam fjetur për katër ditë. Unë fle dhe zgjohem”, vazhdoi presidenti i FIGC-së, duke u shfaqur në prag të lotëve.

“Duhet të kishim eliminuar ata gjigantë suedezë me lojtarë të vegjël, duke mbajtur topin në tokë”.

“Në vend të kësaj, këta lojtarë ishin në stol. Ishte krejtësisht një linjë e gabuar”, përfundoi presidenti i Federatës Italiane të futbollit.

Sot (e shtunë) është raportuar nga mediat italiane se Carlo Ancelotti ka hedhur poshtë mundësinë e punës te Azzurrët, ndërsa Max Allegri, Antonio Conte dhe Roberto Mancini gjithashtu thuhet se nuk janë të interesuar për stolin e Italisë. /Telegrafi/