Presidenti i FIFA-s, Infantino fton në takim presidentin Ademi

E publikuar: 18/09/2018 04:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në këtë muaj, shtator, pritet të ndodh një takim në mes të Agim Ademit dhe Gianni Infantinos.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ftuar presidentin e FFK-së, Agim Ademi për vizitë në selinë e FIFA-s në Cyrih më 27 shtator.

Në ftesën e dërguar nga Bjorn Vassallo, drejtor i Federatave Anëtare të Evropës, thuhet se në kuadër të angazhimit të FIFA-s dhe bashkëpunimit me shoqatat anëtare të saj, presidenti Infantino dëshiron që të ketë një takim zyrtar me presidentin e ri të FFK-së, Agim Ademi.

Aty kryesisht do të diskutohet për strategjinë e futbollit në Kosovë dhe prioritetet e FIFA-s për të ardhmen.

Së bashku me presidentin Ademi në këtë takim do të jetë edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Ky takim dhe mbështetja e vazhdueshme që ka dhënë FIFA për Kosovën dëshmon edhe një herë afërsinë që ka krijuar Federata e Futbollit e Kosovës me institucionin botëror të futbollit, përkatësisht me presidentin Infantino.

Ndryshe para disa ditësh, sekretari gjeneral i UEFA-s, Theodore Theodoridis, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Thierry Favre dhe Denis Bastari, kanë qëndruar për vizitë në FFK. /Telegrafi/