Presidenti formon dy Ekipe Punuese për reformë zgjedhore – propozimet e para deri më 20 dhjetor

E publikuar: 03/12/2016 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi i ka formuar dy Ekipe punuese për reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese që ka të bëjë me procesin zgjedhor. Kështu, ai ka kërkuar nga këta dy mekanizma që draftet e para të propozimeve të dërgohen më së largu më 20 dhjetor. Pas diskutimeve edhe me partitë politike propozimet pritet të shkojnë në Parlament për votim.

Presidenti Hashim Thaçi po synon të kryejë një pjesë të punës në reformën zgjedhore deri më 20 dhjetor të këtij viti.

Kështu, ai po planifikon që draftet e para të propozimeve për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese të jenë gati në pjesën e dytë të këtij muaji që do të përgatiten nga dy Ekipet Punese, të cilat i ka themeluar më 14 nëntor të këtij viti.

Kështu, Ekipi i parë ka të bëjë me Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, ndërsa, Ekipi tjetër Punues ka të bëjë me Ligjin për Zgjedhjet.

Në këto epike janë përfshirë zyrtarë të Presidencës, Qeverisë, Kuvendit, KQZ’së, PZAP’së, komuniteteve dhe shoqëria civile.

“Ekipet punuese obligohen që deri më datën 20 dhjetor 2016 të dorëzojnë draftet, të cilat më pas do të diskutohen në Grupin Punues, i cili përmbiëhet edhe ngapërfaqësues të partive politike dhe mekanizmamave relevantë”, thuhet në pikën nëntë të dokumentit.

Pas hartimit të këtyre dokumenteve, Presidenti synon që ato t’i dërgojë për miratim në Parlament. Krejt kjo nismë e Shefit të Shtetit deri më tash është bojkotuar nga partitë opozitare, AAK, NISMA dhe Vetëvendosje.

Dy pikat kryesore të propozimeve të Presidentit janë: pastrimi i listave zgjedhore dhe largimi njerëzve nga listat e kandidatëve që kanë probleme me ligjin.