Presidenti falënderon Tony Blair: Shumë të rinj kosovarë bartin emrin e tij

E publikuar: 12/06/2019 17:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka falënderuar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, për kontributin e madh që ka dhënë për Kosovën.

Ai ka publikuar një video ku Blair jep një mesazh për shtetin e Kosovës duke thënë se Kosova nuk do t’i harrojë asnjëherë miqtë e saj, njofton Klan Kosova.

“Tony Blair, ish-kryeministri britanik, ka dhënë kontribut shumë të madh për lirinë tonë. Në shenjë të falënderimit dhe respektit të madh që populli ynë ka për të, sot shumë të rinj kosovarë me krenari e bartin emrin e tij. Kosova, populli ynë, asnjëherë nuk i harron miqtë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën! Faleminderit edhe për këtë videomesazh!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërsa, në mesazhin e tij Blair tha se është krenar për vendimin që morën në vitin 1999 për të ndaluar luftën dhe të shpëtojnë shumë jetë në Kosovë.

“Në vitin 1999 NATO mori një vendim stoik të intervenojë për të parandaluar humbjen e jetëve në Kosovë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe në gjithë Europën. Ky nuk ishte një vendim i lehtë”, ka thënë Blair.

“E vlerësoj lartë udhëheqjen e Bill Clinton dhe vendimin për të sjellë forcat paqeruajtëse për kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në gjithë regjionin”.

“Ne e dimë sa i vështirë është progresi, por ne gjithashtu besojmë që njerëzit në Kosovë dhe në rajon kanë kreativitet për të adresuar dhe zgjidhur shumë sfida”.

“Unë kam besim se pavarësia dhe sovraniteti mund të bëhet realitet për Kosovën dhe njerëzit e saj. Ne qëndrojmë me ju, ju përshendesim dhe ju falënderojmë ju”.