“Presidenti bën shkelje nëse brenda 15 ditësh pas dorëheqjes nuk fton partitë në konsultime”

E publikuar: 27/07/2019 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse jozyrtarisht ka nisur fushata e partive politike pas dorëheqjes së Ramush Haradiajt nga posti i kryeministrit, zgjedhjet nuk duken të jenë afër.

Edhe pse në deklaratat e tyre publike janë shprehur të gatshëm për zgjedhje të reja, asnjëra nga partitë politike nuk ka marrë iniciativën për ta mbledhur seancën me të cilën do të shpërbëhej Kuvendi, e vendi do të shkonte në zgjedhje.

E presidenti i cili pas dorëheqjes së Haradinajt për ditë të tëra qëndroi në heshtje, ka lajmëruar se që nga java e ardhshme do t’i nisë konsultat me kryetarët e partive.

Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka thënë se nuk ka gatishmëri të partive politike për mbajtje të zgjedhjeve. Ai thotë se nëse partitë do ta kishin gatishmërinë, do të dorëzonin kërkesën për seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, atë për shpërbërje të kuvendit.

Tahiri për Koha.net thotë se pas dorëzimit të kërkesës nga deputetet, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli është i obliguar që për më së largu pesë ditë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

Sipas tij, ekziston edhe një mundësi tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve në të cilën tre partnerët e koalicionit do të dorëzonin kërkesë për zgjedhje tek presidenti.

“Ata duhet me i thënë se ne partnerët e koalicionit nuk kemi kandidat tjetër për kryeministër dhe kërkojmë nga ju që ta dërgojmë vendin në zgjedhje”, thotë ai.

Ai thotë se momentalisht fajet kryesore janë tek presidenti pasi ai duhet t’i thërrasë kryetarët e tri partive, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj sepse ata janë në koalicion dhe në bazë të ligjit kanë të drejtë me e propozu një kandidat të ri nëse kandidati i tyre ka dhënë dorëheqje.

“Presidenti është dashur t’i thërrasë, brenda 15 ditëve ata duhet me e dhënë propozimin. Nëse brenda 15 ditëve ata nuk e japin propozimin ose nuk i ka thirr presidenti atëherë presidenti ka bërë shkeljen. Në qoftë se nuk ka kandidatë të ri me e zëvendësua Haradinajn i cili votohet në Kuvend sepse duhet me i marrë 61 vota atëherë presidenti i shpallë zgjedhjet e reja”, thotë ai.

Sipas tij, të gjitha partitë që i mbledhin nënshkrimet kanë të drejtë të thirrin seancën për shpërbërje. Ai thotë se këtë seancë mund ta thërrasin ata që e kanë bë mocionin me e rrëzu qeverinë.

Tahiri thotë se të gjitha partitë po deklarohet për zgjedhje, por të gjitha po kanë frikë nga to

Ndërkaq deklaratat e partive të cilat janë shprehur të gatshme për zgjedhje, Tahiri po i she vetëm si lojë politike.

Ai thotë se të gjitha partitë po frikësohen nga ky proces dhe se po ju konvenon shtyrja e tyre.

“Gatishmëri po shprehin, veç po më duket që po bëjnë krejt lojë edhe askush nuk po e ka seriozisht, sepse gatishmëri do të thotë t’i dërgosh letrat, duhet me e marrë iniciativën. Kjo është gatishmëri veç me fjalë sepse me dashtë e kishin kry, ligji është shumë i qartë por nuk ka vullnet. Po më duket të gjithëve po ju konvenon shtyrja e zgjedhjeve, krejt po duan me bë koalicion parazgjedhor, krejt po iu tuten zgjedhjeve”, thotë ai.

Ndërkaq deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, thotë se në situatën e krijuar së fundmi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, nuk sheh mundësi që të krijohet një shumicë e re parlamentare në Kuvend.

Deda në një prononcim për Koha.net thotë se Kosovës tashmë i duhet vetëm një unifikim opozitar e bashkim të forcave demokratike me njerëz që s’janë fare në politikë.

Mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, ish-abasadori e anëtari i LDK-së, Muhamet Hamiti ka thënë se po të donte Haradinaj të shkonte në zgjedhje të reja, do t’i bashkohej mocionit të mosbesimit të opozitës.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të paktën publikisht po shfaqet i interesuar dhe i gatshëm për zgjedhje të reja. Edhe sot, partia e tij ka njoftuar për një takim që ky ka mbajtur me strukturat e PDK-së në Rahovec, Malishevë dhe Suharekë, ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe se partia e tij është gatshme për to. Edhe dje ka mbajtur takim me kryesitë e degëve të partisë.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është jashtëzakonisht e përgatitur për zgjedhjet e reja. Ne dalim në këto zgjedhje për fitore bindëse. Sepse, nuk ka asnjë parti më të konsoliduar se ne, nuk ka asnjë parti më të përgatitur sesa ne”, citohet të ketë thënë sot Veseli.

Kujtojmë se neni 82 i Kushtetutës së Kosovës përcakton mënyrat se si mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit.

Bazuar në nenin 82 pika 1 Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria. Neni 82 pika 2 thotë se nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve. Ndërkaq pika 4 e këtij neni thotë se Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Duke llogaritur vendet e partive politike në Kuvend, shohim se edhe pa përfshirjen e PDK-së, Listës Serbe dhe votat e 6+ mund të votohet shpërbërja e Kuvendit të cilës i nevojiten 80 vota.

25 vendet e LDK-së, 19 të Vetëvendosjes, 12 të AAK-së, 12 të Partisë Socialdemokrate, 8 vendet e Nismës Socialdemokrate, 5 deputetët e pavarur, mund ta votojnë mocionin për shpërbërjen e Kuvendit, pa i llogaritur 25 vendet e PDK-së, 10 vendet e Listës Serbe dhe 6 vendet e komuniteteve.