Presidenca hesht për logon e dytë me probleme për dhjetëvjetorin e Pavarësisë

E publikuar: 14/01/2018 17:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pse çështja e logos së dytë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë ka hapur diskutime të shumta në internet, presidenca nuk është prononcuar ende. Nuk dihet nëse do të anulohet apo do të përdoret si logo kryesore nëpër dokumente, festime, dekorata, etj.

Çështja e logos që do ta ilustrojë dekadën e parë të pavarësisë së Kosovës po del të jetë problematike. Logoja e parë u raportua në media si plagjiat, më pas ishte presidenti Hashim Thçi që njoftoi se ishte përzgjedhur një logo të re. Gjithçka shkoi mirë deri në momentin kur qytetarët prezantuan nëpër rrjetet sociale një logo të ngjashme që ishte bërë vite më parë për BDI-në e Maqedonisë.

Ky veprim bëri që të reagojë vetë autori i logos së dytë, Zeni Ballazhi. Ai ka mohur të ketë plagjiaturë, thotë se mund të ketë ngjashmëri por ky “është stili im”.

“Autor i të dy logove jam unë. Edhe këtë të BDI edhe këtë të Pavarësisë së Kosovës e kam bërë unë. Nuk mund të flitet për plagjiaturë. Mund të ketë ngjashmëri në të dyja logot. Edhe këtë e pranoj, sepse e kam bërë me vetëdije. Ky është stili im dhe kështu kam vepruar. S’ka asgjë të keqe nëse mund të ketë ndonjë ngjashmëri”, ka thënë Ballazhi për Gazetën Express.

Për këtë çështje Presidenca nuk e ka thënë asnjë fjalë, Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me këshilltarin politik të Hashim Thaçit, Adil Behramaj lidhur me atë se a do të anulohet edhe logoja e dytë, por ky i fundit ka thënë se pyetjet do të trajtohen nga ana e presidencës gjatë ditës së hënë.

Këshill organizativ për përzgjedhjen e logos kryesohet nga Presidenca, përbëhet edhe prej Zyrës së Kryetarit të Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe Protokolli i Shtetit.

Edhe logoja e parë ishte anuluar për plagjiat pasi ngjante me logon zyrtare të një kompanie gjermane./Gazeta Express