Prepolli kritikon Ballkanin për angazhimin e Bledi Shkëmbit si trajner

E publikuar: 27/12/2020 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klubi i futbollit, Ballkani, sot edhe zyrtarisht e ka emëruar Bledi Shkëmbin si trajner të parë të skuadrës pas largimit të Ismet Minishit para disa ditëve nga kjo detyrë.

Ky vendim i drejtuesve të skuadrës nga Suhareka është kritikuar nga analisti i futbollit kosovar Arsim Prepolli, i cili e ka konsideruar këtë si një hap të ngutshëm nga ana e tyre, përcjell KosovaPress.

“Mendoj që është vendim i ngutshëm duke marrë parasysh sepse sa ka qëndru trajneri Ismet Munishi thuajse ka bërë më të mirën deri më tani. Se si erdhi deri tek ndarja e tyre nuk e dimë as ne dhe ato janë çështje të brendshme te klubit. Unë mendoj që Ismeti është dashur të qëndrojë ende te Ballkani sepse më së miri i njeh ata futbollistë por i njeh edhe kundërshtarët. Ndërsa me ardhjen e Bledi Shkëmbit, nuk kam shumë informacione se çfarë trajneri është, por e kemi parë që në Lirinë e Prizrenit i ka krijuar disa lojëra të mira.”, tha Prepolli në RTK.

Ai më tutje ka shtuar se trajneri i sapo ardhur te Ballkani assesi nuk mund të jetë më atraktiv se paraardhësi i tij.

“Jo më atraktiv assesi nuk mundet me qenë se sa Ismet Munishi. E kemi parë që me të vërtetë nganjëherë me disa deklarata është ndoshta i ngutshëm, por edhe i jep hijeshi kampionatit. Munishi është një trajner emocionues dhe i merr afër zemrës, një trajner që e do me gjithë shpirt edhe e përkrah ekipin dhe barrën kryesore e merr vet. Ndërsa kemi trejnera të tjerë që barrën kryesore ua lënë lojtarëve dhe e mbulojnë veten.”, ka thënë ndër të tjera Prepolli.