Premtimet e Kadri Veselit për vetting mbesin veç deklarata, analistët i quajnë hipokrite

E publikuar: 25/08/2019 19:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një nga premtimet e para të Kadri Veselit kur mori pozitën e kryetarit të Kuvendit dy vjet më parë, ishte nisja e verifikimit të së kaluarës të zyrtarëve publikë.

Procesi i vettingut, kishte thënë kryetari i PDK-së, do t’i përfshijë edhe politikanët edhe vetë atë.

Disa muaj nga kjo deklaratë, në verë të 2018-s, Veseli kishte kërkuar që gjatë vjeshtës ky proces të fillonte.

Por, gjithçka ka mbetur vetëm deklarim i Veselit.

Anëtarë të shoqërisë civile vlerësojnë se nuk është punuar që ky proces kompleks të fillojë, raporton KTV.

Mosmbajtjen e premtimeve për këtë proces, në Institutin e Kosovës për Drejtësi e quajnë hipokrizi.

Betim Musliu thotë se ka pasur edhe deklarata kundërthënëse të ministrit në largim të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në raport me atë që ka kërkuar kryetari i partisë së tij, Kadri Veseli.

Kurse në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, janë skeptikë se procesi i vettingut do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Procesi i vettingut, që do të përfshinte policët, prokurorët, gjykatësit dhe politikanët, vazhdimisht është vlerësuar si i domosdoshëm për vendosjen e njerëzve me integritet të lartë nëpër pozitat publike.