Pr/buxheti 2018, Tabaku: Rriten shpenzimet qeveritare dhe taksat

E publikuar: 08/11/2017 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edi Rama dhe qeveria e tij kanë dëshmuar se janë të paaftë të realizojnë

investime publike, ndërsa konçensionet po gërryejnë ekonominë. Deklarata është bërë nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku, njëherësh nënkryetare e komisionit parlamentar të Ekonomisë.

“U rriten me 30 % nga viti i kaluar shpenzimet për koncesionet duke kapur vlerën e 9,4 mld lekë dhe këtu nuk është llogaritur projektin 1 miliard euro për infrastrukturën. Qeveria ka dëshmuar se është e paaftë të realizojë investime publike dhe e orientuar nga praktikat korruptive prandaj po i jep me koncesion”, tha Tabaku, duke shtuar se në projektbuxhetin e 2018-ës, qeveria vazhdon të mosparashikojë rritje pagash, ndërkohë që rrit me 48 milionë dollarë taksat. Sipas saj, një pjesë e mirë e të ardhurave që do të sigurohen nga rritja e taksave do të shkojnë për shpenzime.

“Rriten me 15 milionë USD shpenzimet e qeverisë “operative dhe mirëmbajtje”, 3.7% më shumë sesa viti 2017. Ulet me 19 milionë USD fondet për infrastrukturën vendore dhe rajonale, një vlerë që është 21% më e ulët se sa vlera e alokuar për vitin zgjedhor 2017. Të njëjtin fat kanë edhe shpenzimet sa i takon investimeve për kanalet ujitëse dhe kullimit, të cilët janë ulur me 13% në raport me një vit më parë, pra 2.1 mln USD më pak”, tha Tabaku.

Sipas saj, qeveria ka parashikuar 18.4 milionë dollarë rritjen e shpenzimeve për rikonstruksione zyrash, pajisje zyrash dhe makinash.

“Sipas një llogarie të thjeshtë me 18.4 mln USD që qeveria mund të kishte kursyer në këtë zë luksi mund të sigurohej 2 vjet e gjysmë pagesë papunësie, 92% e fondit vjetor për pagesat e ish të përndjekurve politikë dhe rritja e pagave”, tha ajo.

Tabaku ngriti shqetësimin dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik të cilët qeveria i përdor për shoë sa herë është në vështirësi..

“Të përndjekurit politikë vazhdojnë të jenë grupi i harruar i qeverisë ato vazhdojnë të marrin një vlerë prej 20 milionë USD, një vlerë e cila edhe sipas raportit të KLSH është e pamjaftueshme dhe e zhvlerëson detyrimin që shteti jonë ka ndaj tyre. Sipas llogarive të KLSH, me këto hapa do të duhen rreth 16 vjet për ta shlyer vetëm detyrimin monetar ndaj tyre”, theksoi ajo. /syri.net/