Pranon Suarez: Ishte ndërhyrje ndaj Varane, u befasova që gjyqtari lejoi vazhdimin e lojës

E publikuar: 07/05/2018 02:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ka pranuar se kishte bërë një ndërhyrje në dëm të Raphael Varane, por u befasua që gjyqtari e vazhdoi ndeshjen që përfundoi me gol për katalunasit.

Uruguaiani arriti t’ia marrë topin mbrojtësit të Real Madridit dhe pasoi te Lionel Messi, i cili e shënoi golin e dytë të Blaugranëve.

(Foto: Getty Images)

Dhe gjatë një bisede për Movistar Partidazo që transmetohet nga AS, Suarez ka pranuar se ishte një ndërhyrje.

“Mendoj se ishte paksa ndërhyrje, sepse Varane e kishte kontrolluar (topin) dhe unë e futa këmbën aty. U befasova që gjyqtari e lejoi vazhdimin e ndeshjes”, citohet të ketë thënë sulmuesi i Barcës.

Suarez pati disa fërkime me lojtarët e Realit gjatë ndeshjes që mund të konsiderohen si të pranueshme kur është fjala për një superderbi të këtij lloji.

(Foto: Getty Images)

Kujtojmë se Barcelona ishte shpallur kampion i La Ligas para ndeshjes ndaj Los Blancos, por këta të fundit refuzuan t’ua bënin Korridorin e Nderit.

Për këtë arsye, Blaugranët e improvizuan këtë korridor me ndihmën e stafit të klubit. /Telegrafi/