“Pranoje Kosovën”, kërkesa që e ka djersitur Vuçiqin në takim me njeriun e Trump

E publikuar: 12/10/2019 18:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Java që po shkon është përcjellë me një prej zhvillimeve më të rëndësishme sa i përket dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në Prishtinë e Beograd ka qëndruar i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA’së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Derisa për takimet në Kosovë nuk është dhënë ndonjë detaj, përveç atij që palët të rikthehen sa më shpejtë në dialog, për takimin që ka pasur Grenell me Vuçiqin në mediat serbe është spekuluar shumë.

Këshilltarja për media e Vuçiqit madje ka thënë se në takimin me përfaqësuesin Special të Trumpit ka ndodhur diçka e çuditshme.

“Vuçiq ka mbajtur shënime për vete”, ka thënë këshilltarja për media e Vuçiqit.

Tutje ajo ka thënë se Vuçiq pas daljes nga takimi nuk ka folur me askënd prej njerëzve të tij të afërt për disa minuta, pasi i është dashur ta rimarrë veten pas takimit me Richard Grenell.

E lidhur me këtë takim në mediat serbe po raportohet se njeriu i Donald Trump i ka kërkuar Vuçiqit që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kështu shkruan sot “Kurir”, e thirrur në disa burime diplomatike.

Ndryshe Vuçiq dje ka dhënë disa detaje sa i përket takimit që ka pasur me Richard Grenell, duke thënë se ka qenë një bisedë e vështirë.

Kreu i shtetit serb tutje ka shtuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe i ka bërë me dije popullit serb e Serbia nuk do të marrë asgjë, pasi askush nuk ofron asgjë.