Pompeo: Trump, i gatshëm dhe për ndërhyrje ushtarake kundër Turqisë

E publikuar: 21/10/2019 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Foto Reuters

(Photo Reuters)

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se nëse lind nevoja, presidenti Donald Trump është i përgatitur të përdorë edhe forcë ushtarake kundër Turqisë. Ai nuk e shprehu se cila do të ishte vija e kuqe, por tha se parapëlqejnë sanksionet ekonomike e diplomatike. Trump ka marrë kritika të shumta nga vetë republikanët për braktisjen e kurdëve, të cilët e luftuan ISIS-in përkrah SHBA-ve.

“Ne parapëlqejmë paqen para luftës”, tha Pompeo në një intervistë për CNBC. “Por nëse do të nevojiten veprime ushtarake, duhet ta dini që presidenti Trump është mëse i përgatitur që ta ndërmarrë atë hap.”

Presidenti amerikan është kritikuar shumë pas vendimit për të tërhequr forcat amerikane nga Siria e Veriut, duke braktisur kështu kurdët, të cilët vazhduan një luftë të ashpër kundër ISIS-it. Tërheqja e amerikanëve solli ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në zonë, që la rreth 120 civilë të vrarë, sipas Vëzhgimit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britaninë e Madhe.

Pompeo nuk e shprehu qartë se cila do të ishte vija e kuqe për Turqinë që do të shkaktonte ndërhyrjen ushtarake të Amerikës, duke sqaruar se nuk donte të fliste para presidentit në lidhje me se ku dhe kur do të përdorej fuqia ushtarake e SHBA-ve.

“Ju përmendët fuqitë ekonomike që kemi përdorur. Sigurisht që do t’i përdorim. Do të përdorim edhe fuqitë diplomatike. Ato janë të parapëlqyerat”, tha Pompeo.

Trump tha të hënën në një konferencë për shtyp se SHBA-të nuk kishin rënë dakord me kurdët që t’i mbronin përjetësisht, dhe se nuk do të mbanin anë. “Le të luftojnë vetë”, tha Trump për gazetarët.

SHBA vendosi gjithsesi sanksione ndaj Turqisë, pasi këta të fundit u futën me ushtri në territore siriane ku ishin vendosur aleatët kurdë të Amerikës teksa luftonin ISIS-in.

Turqia i sheh kurdët si grup terrorist. Krijimi i një shteti të pavarur kurd e me fuqi ushtarake në Siri do të përbënte rrezik territorial për Turqinë, e cila ka 14 milionë kurdë në territorin e saj, ose 18% të popullsisë, në zonën pranë kufirit me kurdët e Sirisë.

Të enjten, zv/presidenti amerikan, Mike Pence, tha se Turqia ra dakord për një armëpushim 5-ditor, periudhë që SHBA-të do ta përdorin për të ndihmuar tërheqjen e trupave kurde nga rajoni. Pasi të gjitha trupat të jenë larguar, sipas Pence, SHBA-të do të heqin sanksionet e vëna ndaj Turqisë.

Por aleatët republikanë të Trump-it e kritikuan menjëherë marrëveshjen e armëpushimit, duke thënë se i jep Turqisë gjithçka që dëshironin, teksa SHBA-të i braktisnin aleatët e tyre po njësoj. Pompeo mbrojti marrëveshjen në një intervistë duke thënë se ishte i bindur që ajo do të shpëtonte jetët e ushtarëve kurdë dhe të pakicave civile në rajon.

Aj.P